Pogradeci me më pak pushues, operatorët turistikë ngrenë alarmin për menaxhimin e plazheve
Edhe pse sezoni turistik veror ka hyrë në kulmin e tij, plazhet e Pogradecit këtë vit po përballen me një fluks më të ulët pushuesish krahasuar me sezonet e mëparshme.
Operatorët turistikë e lidhin këtë situatë me disa problematika, që sipas tyre kanë ndikuar në zgjedhjen e turistëve për të kaluar pushimet në qytetin liqenor.
Operatori turistik Dritan Hoxha thotë se fundjavat kanë sjellë më shumë lëvizje, por numri i pushuesve mbetet më i ulët nga pritshmëritë. Një nga shqetësimet kryesore, sipas tij, është zënia e pjesës më të madhe të vijës liqenore nga stacionet private të plazheve, duke kufizuar hapësirat publike për qytetarët dhe turistët.
Sipas Hoxhës, në shumë zona mungojnë ende elementë bazë të infrastrukturës, si tualetet, dhomat e zhveshjes dhe shërbimet për personat me aftësi të kufizuara. Për këtë mënyrë administrimi të hapësirave të plazhit, ai thotë se ka paraqitur edhe ankesë pranë institucioneve përgjegjëse.
Nga ana tjetër, operatorët vlerësojnë pozitivisht masat e sigurisë të marra në plazhe, veçanërisht vendosjen e bovave dhe praninë e rojeve të plazhit në zonat e monitoruara, duke i konsideruar të rëndësishme për mbrojtjen e pushuesve.
Pakënaqësi shprehin edhe qytetarët. Ata thonë se plazhet e Pogradecit nuk kanë më të njëjtën pastërti si vite më parë dhe kritikojnë mungesën e mirëmbajtjes, si dhe zënien e hapësirave publike nga çadrat private.
Sipas tyre, kjo situatë ndikon jo vetëm te banorët e zonës, por edhe te turistët që zgjedhin Pogradecin si destinacion për pushime.
Ndërsa sezoni turistik vijon, operatorët dhe qytetarët kërkojnë më shumë vëmendje për administrimin e vijës liqenore, përmirësimin e infrastrukturës dhe garantimin e kushteve më të mira për pushuesit. Ata shpresojnë që problematikat e ngritura të marrin zgjidhje, në mënyrë që Pogradeci të ruajë atraktivitetin si një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të vendit.