Dy zjarre brenda pak minutash në Vlorë, flakët përfshijnë fast food-in dhe një kabinë elektrike

Dy vatra zjarri janë regjistruar pothuajse në të njëjtën kohë në qytetin e Vlorës, duke vënë në alarm shërbimet zjarrfikëse, të cilat u detyruan të ndajnë forcat për përballimin e situatës.

Zjarri i parë përfshiu një fast food, ku dyshohet se shkak është bërë një bombol gazi. Flakët shkaktuan tym të dendur dhe dëme materiale në ambientet e biznesit. Ndërhyrja e e zjarrfikësve bëri të mundur izolimin dhe shuarjen e zjarrit, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të tij.

Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri u regjistrua në një kabinë elektrike pranë shkollës “Ali Demi”. Për shkak të rrezikut që paraqiste për banorët e zonës dhe pallatin pranë, zjarrfikësit ndërhynë menjëherë, duke stakuar linjën elektrike dhe duke neutralizuar flakët.

Fatmirësisht, nga të dyja ngjarjet nuk raportohet për persona të lënduar. Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve që sollën rënien e zjarreve.