EMRI/ Të shtëna me armë në Gjormë të Kurbinit, një 22-vjeçar dërgohet te Trauma

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar pasditen e sotme në Gjormë të Kurbinit, ku dyshohet se ka mbetur i plagosur një person.

Sipas informacioneve paraprake për SYRI-n, i plagosur ka mbetur 22-vjeçari Veron Pasha, i cili është goditur me një plumb në kofshë.

Menjëherë pas plagosjes, ai është dërguar nga vëllai i tij në spital, ndërsa për shkak të gjendjes shëndetësore është transportuar më pas drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, ku po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Për momentin, i riu nuk ka qenë në gjendje të japë dëshminë e tij, pasi ndodhet në sallën e operacionit. Ndërkohë, vëllai i 22-vjeçarit u ka deklaruar hetuesve se nuk ka dijeni mbi mënyrën se si ka ndodhur plagosja.

Kurbin/ Informacion paraprak

Më datë 25.07.2026, rreth orës 19:00, është dërguar në spital shtetasi V. P., 22 vjeç, banues në fshatin Sanxhak, Kurbin, i dëmtuar në këmbë, dyshohet me armë zjarri, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.