Konflikti në Durrës/ Zbardhet dëshmia e Edison Gjuzit: Polici shoqërohej shpesh me bashkëpunëtorin e Visit të Pojës

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka sekuestruar armën e zjarrit të efektivit të policisë në Durrës, i cili dyshohet se është përfshirë në një sherr, pjesë e të cilit u bë pjesë dhe një 41-vjeçar i kërkuar nga SPAK, Denis Tafili.

Mësohet se efektivi ka qenë prezent në lokal kur ka ndodhur sherri, por në deklarimet e tij para agjentëve të AMP-së ka deklaruar se nuk ka lidhje me të kërkuarin e SPAK.

Edison Gjuzi, i cili u dhunua me qytën e pistoletës nga Tafili, pretendon se ka parë efektivin e policisë disa herë nën shoqërinë e të kërkuarit nga SPAK dhe personit tjetër që e dhunuan.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është duke verifikuar kamerat e sigurisë për të mësuar nëse efektivi ka favorizuar të kërkuarin e SPAK, Denis Tafili.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e 24 korrikut, ku sipas policisë së Durrësit, gjatë një konflikti për motive të dobëta, Edison Gjuzi 36 vjeç, është goditur me qytë pistolete nga 41-vjeçari Denis Tafili dhe shtetasi me iniciale G. M., 27 vjeç, të dy banues në Shkallnur, Durrës, të cilët pas ngjarjes janë larguar me automjet.