Aksident i rëndë me autobus në Stamboll, të paktën 30 të plagosur, mes tyre edhe fëmijë

Të paktën 30 persona, mes tyre edhe fëmijë, mbetën të plagosur si pasojë e një aksidenti me autobus në Stamboll, raportojnë mediat turke.

Sipas TRT Haber, shoferi humbi kontrollin e mjetit për shkak të rrugës së rrëshqitshme. Autobusi fillimisht u përplas me një automjet dhe më pas doli nga trajektorja, duke goditur një shtyllë të sinjalistikës rrugore.  

Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e emergjencës, të cilat u dhanë ndihmën e parë të plagosurve dhe i transportuan ata në spital për trajtim mjekësor. 

Autoritetet turke kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit. Deri më tani nuk raportohet për viktima.