Berisha: Gjesti i Ramës për fëmijën autik tregon se është një birbo që e ka ndjeshmërinë në nivel shtazor
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha reagoi edhe një herë ashpër ndaj Edi Ramës i cili dje gjatë fjalimit në mbledhjen e grupit të PS ofendoi nënën e një fëmije autik
‘Gjesti i Ramës për fëmijën autik tregon se është një birbo që e ka ndjeshmërinë në nivel shtazor’ tha ai.
Pjese nga bashkebisedimi
Griselda Selimaj: Mirëdita Doktor, dje Rama ka bërë gjestin më të shëmtuar, duke folur me një fjalor përçmues, me një fëmijë me aftësi ndryshe. Në zgjedhjet e mëparshme e ka deklaruar se kush voton Kënetën e Bufave, duke iu referuar PD-së, duhet të jetë autik. A mund të kërkoni thirrjen e Komisionit të Etikës, ose ndëshkim nga instancat përkatëse si brenda apo jashtë vendit, për fjalorin e një kryeministri ndaj atyre me aftësi ndryshe, por edhe të shqiptarëve në tërësi përfshirë protestuesve që i quan korba dhe sorra? Faleminderit.
Sali Berisha: Ju falënderoj për pyetjen. Edi Rama manifeston në mënyrë të përsëritur psikologjinë e një birboje, e një urrejtësi. E ka të trashëguar, e ka familjare.
Absolutisht ua them unë ju. Sepse, në edukatën e tyre familjare, mëshira për atë që është në nevojë, dhembshuria për të nuk ekziston.
E vura re gjestin. Gjest më të ulët dhe më çnjerëzor nuk mund të kishte. Kur foli për nënën, që përdori terma prej halabaku në vlerësimin e saj, ai imitoi djalin e tij, që mbante kokën në një anë, shtrembër, djalë me aftësi të veçanta. Ishte një akt shumë, shumë i shëmtuar.
Dhe në një farë mënyre e nxjerr Edi Ramën në nivelin e instinkteve më bazale, më shtazore të njeriut.
Pse e imiton ti atë? Çfarë kërkon që të imitosh?
Unë pashë se fatmirësisht, pavarësisht nga kontrolli që u bën mediave konvencionale, mediat sociale e kishin trajtuar në mënyrën më të merituar dhe më të gjerë dhe unë i përgëzoj ato. Komisioni i Etikës... natyrisht ne do t'i shohim të gjitha modalitetet, po këtu nuk ka organizata që mbrojnë fëmijët. Janë shushunja. Ato janë shushunja që plaçkitin fonde për mbrojtjen e fëmijëve.
Nuk mund të mos e them se një nga aktet për mua më të shëmtuara, më kriminale, ka qenë publikimi nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonaj, në një akt urrejtje dhe armiqësie ndaj meje, të emrave të tre fëmijëve me autizëm, për fajin e vetëm se dhëndri im dhe fëmijët e mi, i kishin sponsorizuar familjet e tyre, kishin paguar shpenzimet për trajtimin e tyre në qendrën e autizmit që drejtohet nga doktoreshë Liri Berisha, pa asnjë lloj shpërblimi mbi tokë, përveçse për pasionin e vet. Dhe këta e gjetën këtë akt korruptiv, shih se çfarë janë këta...
Po këta edhe nazistë, edhe sigurimsë të poshtër po të ishin, ndoshta deri këtu nuk shkonin. Nazistët shkonin, edhe sigurimsat shkonin. Po mund të bëjnë prokurorët një akt të tillë? Mirëpo çfarë t'u thuash prokurorëve kur e bën Edi Rama atë akt?
Kur duke mbajtur fjalimin, lëshon kokën mbi sup për të imituar djalin me aftësi të ndryshme.
Këta, përsa i përket ndjeshmërisë, janë në nivel shtazor. Këta janë në nivel shtazor. Kjo është e vërteta dhe asnjë organizatë e të drejtave të fëmijëve nuk ngriti zërin për ato tre fëmijë. Duke treguar se s'janë gjë tjetër vetëm shushunja të shpifura, të fondeve që jepen për mbrojtjen e fëmijëve.