Berisha: Është e domosdoshme të hiqet TVSH-ja për ushqimet! Do rikthejmë normalitetin e çmimeve në vend

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët online sot kreu i PD-së, Sali Berisha, tha se është e domosdoshme që të hiqet TVSH-ja për ushqimet, të dyfishohen rrogat dhe pensionet, në mënyrë që laku i kafshatës të mos shtrëngohet më tej, po të lirohet në qafën e shqiptarëve.

Pjesë nga bashkëbisedimi

Marjan Geci: Në 27 vendet e BE-së, shpenzimet për ushqime përfaqësonin mesatarisht 6.2% të prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2021. Në Shqipëri, pesha prej 20.4% ishte mbi tre herë më e lartë se mesatarja europiane. Pra, shqiptarët, sipas Eurostat, paguajnë më shumë se kushdo në Europë për ushqimin. A duhet një nismë konkrete për çështjen e TVSH-së dhe a duhet t'i bindni shqiptarët se kjo vjen nga paratë e drogës që futen në ekonomi?

Sali Berisha: Marjan, të përshëndes për pyetjen. Nuk ka gjë më të dhimbshme sesa njerëzit me pagat më të ulëta në Europë, paguajnë ushqimet me çmimet më të shtrenjta.

Është e vërtetë ajo që thoni ju. Në të gjitha raportet, shpenzimet për ushqimet për qytetarët shqiptarë janë tre herë më të mëdha se për qytetarët europianë. Është e vërtetë.

Por përveç kësaj, Marjan, ka një të vërtetë edhe më të hidhur, shumë më të hidhur se kjo. Dhe kjo e vërtetë më e hidhur është se sot janë të paktën 450 mijë pensionistë që nuk janë me pensione të plota dhe që marrin mesatarisht 100-110 euro në muaj.

A mund të imagjinosh, Marjan, si mund të blejnë ata ilaçe, çfarë ushqimesh mund të blejnë ata me 100 euro?

Pra, ata janë në mjerim. Janë në një mjerim të madh, të plotë. Sigurisht që prerja me gërshërët e ligjit, zero tolerancë ndaj bosëve të drogës, do të rikthejë normalitetin e çmimeve në Shqipëri. Por tashmë kjo nuk mjafton.

Është e domosdoshme të hiqet TVSH-ja për ushqimet.

Është e domosdoshme të dyfishohen rrogat dhe pensionet, në mënyrë që laku i kafshatës të mos shtrëngohet më tej, po të lirohet në qafën e shqiptarëve.