Punonte si praktikante në selinë e NATO-s, Gruaja kanadeze arrestohet për spiunazh
Një grua kanadeze me origjinë kineze, e cila ishte praktikante në selinë ushtarake të NATO-s në Belgjikë, është arrestuar me akuza për spiunazh, thanë prokurorët belgë të shtunën.
“Ajo dyshohet për spiunazh në emër të një vendi të tretë dhe për anëtarësim në një organizatë kriminale”, tha Zyra e Prokurorit Publik Federal në një deklaratë.
Gruaja punonte si praktikante në Shtabin Suprem të Fuqive Aleate për Evropën (SHAPE) të NATO-s në qytetin belg Mons, thuhet në deklaratë. Nuk u dhanë detaje të mëtejshme për identitetin e saj apo vendin apo organizatën për të cilën dyshohet se spiunon.
SHAPE është selia kryesore ushtarake e NATO-s, baza e Komandës Aleate të Operacioneve, e cila është përgjegjëse për planifikimin dhe kryerjen e të gjitha operacioneve të aleancës transatlantike të sigurisë me 32 anëtarë.
E dyshuara kishte rënë në sy të shërbimeve të sigurisë të SHAPE-s, të cilët e raportuan atë te zyrtarët e inteligjencës belge, sipas deklaratës së prokurorëve.
Hetuesit kontrolluan shtëpinë e të dyshuarës dhe vendin e saj të punës në SHAPE, dhe ajo u arrestua të premten.
Një zëdhënës i SHAPE tha se nuk kishte asnjë tregues se gatishmëria operacionale e NATO-s ose e SHAPE-s, rregullimet e komandës dhe kontrollit ose detyrat e vazhdueshme ishin prekur.
"SHAPE vazhdon të përmbushë përgjegjësitë e tij pa ndërprerje", tha ai.
Zyra e prokurorit tha se nuk do të bënte komente të mëtejshme ndërsa hetimet vazhdojnë./Reuters