Nga minimumi jetik te dyfishimi i pagave dhe pensioneve/ Berisha: Ja tre masat tona për uljen e çmimeve
Kreu i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se rritja e çmimeve ka vështirësuar edhe më tej dhe varfëruar shqiptarët. Ai prezantoi planin me tre masa të PD-së për përballimin e situatës. E ato janë: Vendosja e minimumit jetik 200 euro për çdo shqiptar, heqja ose uljen e TVSH-së në 6% për produktet ushqimore dhe dyfishimin e pagave e pensioneve.
Berisha tha se këto masa do të ndihmojnë në zbutjen e kostos së jetesës për qytetarët.
Dejona Ruka: Doktor, çmimet janë rritur aq shumë dhe nuk po ia dalim dot të mbyllim muajin. Po blejmë gjithnjë e më pak produkte ushqimore. A keni ju ndonjë plan konkret se si ta zbusni këtë inflacion të çmimeve? Po ndonjë plan konkret për rritjen e pagave në përgjithësi?
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen Dejona. Pa diskutim që dara e varfërisë në këtë vend shtrëngohet para së gjithash nga rritja e madhe disproporcionale e çmimeve në raport me rrogat. Rritje kjo, e cila ka si shkak themelor narko-euron dhe narko-shtetin.
Por rritje kjo, për të cilën Partia Demokratike ka një përgjigje flakë për flakë për neutralizimin dhe zbutjen e saj.
Së pari, vendosja e minimumit jetik 200 euro për çdo shqiptar. Së dyti, heqja e TVSH-së ose zbritja e saj në 6% në të gjitha produktet ushqimore.
Së treti, dyfishimi i rrogave dhe pensioneve me një politikë agresive të rritjes së tyre.
Unë kam besim se me këto tre masa, kjo darë që shtrëngohet çdo muaj e më shumë në fytin e shqiptarëve, do mund të bllokohet dhe të lirohet.