Blushi/ Edi Rama është një kufomë politike, mbahet në jetë me propagandë! Eshtë simbol i pabesisë

I ftuar në një lidhje Skype në Syri Tv, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar kryeministrin Edi Ramën se qeverisja e tij është ndërtuar mbi “pabesi” dhe “thikë pas shpine”.

Blushi deklaroi se Rama ka humbur besimin e shqiptarëve dhe të bashkëpunëtorëve të tij, duke e cilësuar atë “një kufomë politike që përpiqet të mbahet në jetë vetëm me propagandë”.

Ai solli si shembuj ish-zyrtarë socialistë si Saimir Tahiri, Lefter Koka, Alqi Bllako, Erion Veliaj dhe Ilir Beqja, duke theksuar se ata u lanë pas nga kryeministri pasi kishin qenë pjesë e qeverisjes së tij.

Pjesë nga intervista:

Nuk mund t'i japë besë simbolit të pabesisë. E sikundër me të drejtë u theksua, Edi Rama ka qenë i pabesë me popullin shqiptar, i pabesë me këdo që e ka rrethuar, i pabesë me bashkëpunëtorët e tij.

Se sa besnik është Edi Rama, këtë mund t'jua dëshmojë më së miri Saimir Tahiri, të cilit i dha besën për të kanabizuar Shqipërinë se do të ishte nën mbrojtjen e tij dhe më pas e burgosi. Mund t'jua dëshmojë Lefter Koka, që i dha besën që të vinte në jetë aferën e inceneratorëve dhe më pas e burgosi.

Mund t'jua dëshmojë Alqi Bllako, të cilit i dha besën për ta ndihmuar Terin për të vënë në jetë aferën e inceneratorëve dhe më pas e futi në burg. Mund t'jua dëshmojë Erion Veliaj, të cilit i dha besën se do të ishte pasardhësi i tij në Partinë Socialiste dhe më pas e futi në burg. Mund t'jua dëshmojë Ilir Beqja, të cilit i dha besën për të vënë në jetë koncesionet korruptive në shëndetësi dhe tani e ka burgosur.

Pra, unë nuk surprizohem aspak nga një kryeministër i cili, sigurisht, që sillet jo vetëm si kriminel, si terrorist me shqiptarët, me interesin kombëtar, me financat publike, me pasuritë publike, por sillet me pabesi edhe me ata të cilët kanë qenë deri dje bashkëpunëtorët e tij më të afërt.

A nuk ishte ky kryeministër që u premtoi shqiptarëve shëndetësi falas? Sot njerëzit humbin jetën për mungesë ilaçesh tek Onkologjiku.

A nuk ishte ky kryeministër që u premtoi besën të gjithë banorëve në proces legalizimi që shtëpitë e tyre nuk do t'i shembte, sikur e vërtetuan ngjarjet nga Astiri?

A nuk ishte ky kryeministër që u dha besën banorëve të Thethit dhe u shkatërroi pronat dhe pasuritë?

A nuk ishte ky kryeministër i cili u dha besën shqiptarëve se brenda mandatit të parë do të kishte zgjidhur çështjen e ujit të pijshëm?

E plot e plot premtime të tjera, çka vërtetojnë edhe një herë që, në 11 vite, Edi Rama nuk bëri asgjë tjetër veçse e ktheu pabesinë në një institucion, pra në kodin moral, në thonjëza, të qeverisjes së tij, të ndërtuar vetëm mbi pabesinë dhe mbi thikën pas shpine.

Madje, ajo çfarë ndodhi në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar vetëm pak minuta më parë, mjafton të lexoni reagimin e Erion Braçes, që ka shkuar edhe një hap më lart duke e cilësuar atë çfarë ndodhi në mbledhje si një vrasje me porosi dhe si prerje në besë ndaj tij nga Edi Rama.

Është e kotë të harxhojmë minuta të tëra për të treguar se kush është Edi Rama. Çdo shqiptar e di dhe, veçanërisht, 1.5 milionë shqiptarët që janë sot të detyruar, për shkak të politikave kriminale, armiqësore të Edi Ramës, se sa besë ka ky individ.

Ndaj, është humbje kohe të merremi me një kryeministër. E vetmja energji që sot shqiptarët, e sidomos opozita, duhet të harxhojë është se si t'ia shkurtojë jo orët, por sekondat një kryeministri i cili është sjellë si autokrat.

Nuk duhet të surprizohemi me qëndrimet e një autokrati, i cili fundin e vet e ka të paracaktuar. Edi Rama është një frikacak, të cilit tashmë i ka ngordhur edhe lepuri që ka në bark.

Mos u surprizoni nga këto qëndrime. E padashur ndoshta, nuk është rasti i duhur për ta sjellë si shembull, por dua t'ju kujtoj Krishtlindjet e vitit '89 në qendër të Bukureshtit, kur Çaushesku fliste para turmave dhe, pak orë më vonë, u fsheh si lepur dhe përfundimin e tij besoj e gjithë bota e ka parë.

Edi Rama është i pashpresë. Asnjë kod, asnjë përpjekje, asnjë premtim nuk mund ta mbajë dot gjallë.

Një kufomë politike... gijotinën populli ia ka vendosur para derës së tij dhe është e pashmangshme kalimi nga kjo gijotinë politike.

Edi Rama është një kufomë e cila përpiqet që të mbahet në jetë vetëm me propagandë, vetëm me banda, vetëm me krim, por të jeni të sigurt që fundi i tij do të jetë më i zi dhe më i tmerrshëm sesa vetë Edi Rama e mendon.

Nuk mund të pres, besoj as ju nuk mund të prisni, të tjera qëndrime nga ky kryeministër. Sigurisht që edhe efekti i substancave të cilat ai përdor e nxit të bëhet trim para kamerave, por se sa trim është Edi Rama, besoj e patë edhe në seancën e fundit plenare, ku ai ka frikë nga vezët dhe ka frikë nga uji.

Kështu që besoj është tashmë e qartë: e vetmja detyrë e shqiptarëve tashmë është të mos dorëzohen, sepse ndryshimi është i pashmangshëm dhe ndryshimi është më pranë se kurrë, pavarësisht përpjekjeve të Edi Ramës për t'u shfaqur në media si trim, si triumfator apo si dikush që nuk dorëzohet.

Bota ka njohur diktatorë e gjakatarë, regjime shumë më represive sesa ky regjim i kalbur i Edi Ramës. Fati i të cilëve dihet, sepse askush nuk ka fuqinë që të mposhtë një popull i cili është i etur për liri, është i etur për ndryshim.