Sot i jepet lamtumira e fundit çiftit Plaka, mes dhimbjes dhe tronditjes pas tragjedisë në Vidhishtë
Sot në orën 11:00 familjarë, të afërm dhe banorë të zonës do t’i japin lamtumirën e fundit çiftit Kosta dhe Bejlere Plaka, të cilët u vranë dje nga Refik Buzi, ish i fejuari i vajzës së tyre në fshatin Vidhisht bashkia e Roskovecit.
Çifti do të përcillet për në banesën e fundit mes dhimbjes së familjarëve dhe komunitetit.
Kryefamiljari Kosta Plaka, 58 vjeç, humbi jetën në banesë pasi u qëllua me armë gjahu nga Refik Buzi, ndërsa bashkëshortja e tij, Bejlere Plaka, 55 vjeçe, mbeti e plagosur dhe ndërroi jetë disa orë më pas në spital.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 24 korrikut, kur Refik Buzi, ish-dhëndri i familjes, dyshohet se shkoi në banesën e ish-të fejuarës së tij në Vidhishtë të Roskovecit, ku vrau Kosta Plakën dhe plagosi bashkëshorten e tij. Pas krimit, ai mori me vete ish-të fejuarën, Rozalinda Plakën, e cila u lirua pas disa orësh gjatë operacionit të forcave RENEA.
Pas disa orësh negociatash me policinë, Refik Buzi dyshohet se i dha fund jetës brenda automjetit ku ishte rrethuar nga forcat speciale në zonën e Kurjanit.
Komuniteti i Vidhishtës mbetet i tronditur nga një prej ngjarjeve më të rënda të ndodhura në zonë.
Ndërkohë, ceremonia mortore e autorit të dyshuar të ngjarjes, Refik Buzi, pritet të zhvillohet ditën e nesërme.