Ceferin kujton Kevin Keegan: Pak futbollistë e kanë bërë futbollin kaq të gjallë
Futbolli europian vijon të mbajë zi për ndarjen nga jeta të legjendës angleze Kevin Keegan, ndërsa presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, i ka kushtuar një mesazh prekës një prej figurave më të dashura në historinë e këtij sporti.
"Kevin Keegan ishte vërtet unik. Brezi ynë pati privilegjin të rritej duke admiruar këtë fenomen të papërsëritshëm. Ndoshta të tjerë kanë fituar më shumë trofe, por shumë pak kanë arritur ta bëjnë futbollin kaq të gjallë. Mendimet e mia janë me familjen e tij, të afërmit dhe të gjithë ata që sot vajtojnë një nga figurat më të dashura të futbollit", deklaroi Ceferin.
Keegan, i cili u nda nga jeta katër ditë më parë, mbetet një nga ikonat më të mëdha të futbollit anglez. Karrierën e nisi te Scunthorpe United, përpara se në vitin 1971 të transferohej te Liverpool me kërkesën e trajnerit legjendar Bill Shankly.
Me "The Reds", sulmuesi fitoi tre tituj kampionë të Anglisë, një FA Cup, dy Kupa UEFA dhe Kupën e Kampionëve në vitin 1977, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të klubit.
Më pas ai u transferua te Hamburgu, ku udhëhoqi skuadrën drejt fitimit të Bundesligës në vitin 1979. Performancat e tij të jashtëzakonshme u shpërblyen me dy "Topa të Artë" radhazi, në vitet 1978 dhe 1979.
Pas rikthimit në Angli, Keegan veshi fanellat e Southampton dhe Newcastle, duke mbyllur karrierën si futbollist në vitin 1984 me 204 gola në 592 ndeshje zyrtare. Me kombëtaren angleze zhvilloi 63 ndeshje, realizoi 21 gola dhe mbajti shiritin e kapitenit në 31 takime.
Edhe si trajner, Keegan la gjurmë të rëndësishme. Ai riktheu Newcastle në Premier League dhe e shndërroi skuadrën në një nga më spektakolaret e futbollit anglez, ndërsa drejtoi gjithashtu Fulhamin, kombëtaren e Anglisë, Manchester City-n dhe sërish Newcastle, duke mbetur një figurë e respektuar dhe e dashur për tifozët.