VIDEO/ Dita e 55-të e protestës, qytetarja: Po sakrifikojmë për Shqipërinë që meritojmë
‘Nuk po sakrifikojmë vetëm për të rrëzuar një qeveri, por për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë’. Kështu u shpreh një qytetare gjatë protestës së 55-të radhazi, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Në fjalën e saj para protestuesve, qytetarja deklaroi se beteja nuk është vetëm politike, por lidhet me të ardhmen e vendit dhe me atë që ajo e cilësoi si ‘Shqipëria që shqiptarët meritojnë’.
Sipas saj, qytetarët kërkojnë një vend ku interesi kombëtar të mos përdoret për pazare politike dhe ku Shqipëria të ketë më shumë peshë në arenën ndërkombëtare. Gjatë fjalimit, qytetarja foli edhe për çështjet kombëtare, duke përmendur Kosovën, shqiptarët në rajon dhe Çamërinë.
Ajo kërkoi gjithashtu një vend ku familja të jetë në qendër të shoqërisë, ku qytetarët të ndihen të sigurt dhe ku ligji të jetë i barabartë për të gjithë.
‘Mirëmbrëma shqiptarë!
Sot dua t'ju bëj vetëm një pyetje. Për çfarë po sakrifikojmë kaq shumë? Për çfarë po protestojmë? Ne me të vërtetë duam të rrëzojmë këtë qeveri të korruptuar, por ne po sakrifikojmë për Shqipërinë.
Për një Shqipëri që nuk e kemi, por që e meritojmë. Ne duam një Shqipëri ku interesi kombëtar nuk është mall për pazare politike, por amaneti më i shtrenjtë i çdo shqiptari. Ne duam një Shqipëri ku interesi kombëtar, dhe ku Shqipëria nuk e ul kokën përballë askujt.
Një Shqipëri që mbron sovranitetin e saj, që flet me dinjitet në arenën ndërkombëtare dhe që vendos interesin e kombit mbi çdo interes tjetër. Ne duam një Shqipëri që nuk e harron kurrë gjakun e saj, që nuk hesht për Çamërinë, që qëndron krah për krah me Kosovën, që mbron të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e kudo, dhe që vendos interesin e kombit mbi çdo interes tjetër.
Ne duam një Shqipëri ku familja është zemra e shoqërisë. Ku fëmijët rriten me dinjitet, ku të moshuarit respektohen dhe ku fëmijët rriten me dashurinë për Zotin, për familjen, për punën dhe për kombin.
Ne duam një Shqipëri ku rrugët janë të sigurta, ku qytetari ndihet i mbrojtur, ku ligji nuk pyet nëse je i pasur apo i varfër, i fortë apo i dobët. Ne duam një Shqipëri... ne duam një Shqipëri... ne duam një Shqipëri të mirë!
Ku nuk ecën përpara ai që ka mikun më të fortë, por ai që ka karakterin më të fortë. Ku korrupsioni nuk është rrugë drejt suksesit, por turpi më i madh i një shoqërie. Ne duam një Shqipëri ku familja shqiptare jeton me dinjitet nga puna e tyre, ku ekonomia shpërblen mundin, ku biznesi i ndershëm mbështetet dhe ku të rinjtë nuk largohen nga vendi i tyre për të pasur sukses.
Ne duam një Shqipëri ku arsimi nuk prodhon vetëm diploma, por burra dhe gra të mençur. Ku shëndetësia nuk është privilegj, por e drejtë themelore e çdo qytetari. Ne duam një Shqipëri ku fshati jeton, ku fermeri respektohet, ku toka punohet dhe ku diaspora nuk shihet vetëm si burim të ardhurash, por si pjesë e pandarë e kombit tonë. Por asgjë nga këto nuk do të vijë dhuratë.
Historia nuk ka shpërblyer kurrë popuj që pritën. Historia ka shpërblyer popuj që sakrifikuan. Sakrifica nuk është humbje. Sakrifica është çmimi i lirisë, sakrifica është çmimi i së ardhmes, sakrifica është çmimi i dinjitetit.
Prandaj sot nuk ju kërkoj vetëm të protestoni. Ju kërkoj të besoni. Të besoni se Shqipëria mund të bëhet. Sepse një ditë, kur fëmijët tanë të na pyesin 'ku ishit ju kur Shqipëria kishte nevojë për ju?', unë dua që secili prej jush të mund të përgjigjet me dinjitet: 'Unë isha aty, unë nuk heshta, unë nuk u dorëzova, unë sakrifikova për Shqipërinë'. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti i bekoftë shqiptarët!’, u shpreh qytetarja gjatë fjalës së saj.