Ronaldo përgatit lamtumirën nga Portugalia, ndeshja ndaj Uellsit mund të jetë e fundit në ‘shtëpinë’ e tij

Cristiano Ronaldo duket se është pranë fundit të një epoke të jashtëzakonshme me fanellën e kombëtares së Portugalisë. Sipas raportimeve të Goal.com, ylli portugez ka identifikuar sfidën ndaj Uellsit, e programuar më 24 shtator në stadiumin “José Alvalade” të Lisbonës, si ndeshjen e fundit të karrierës së tij ndërkombëtare.

Ky impiant ka një domethënie të veçantë për Ronaldon, pasi është stadiumi i klubit ku ai u formua si futbollist, Sporting Lisbonës, përpara se të niste një karrierë që e shndërroi në një nga lojtarët më të mëdhenj të historisë së futbollit.

Pas shumë spekulimeve rreth të ardhmes së tij me kombëtaren, vendimi i Ronaldos duket se po merr formë. Lamtumira e mundshme do të përkojë me nisjen e një cikli të ri të Portugalisë nën drejtimin e trajnerit Jorge Jesus, i cili ka firmosur një kontratë katërvjeçare me Federatën portugeze.

Megjithatë, Jesus ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të bëjë ndryshime të menjëhershme në skuadër. “Disa mund të mendojnë se trajneri i ri do të ndryshojë shumë lojtarë, por nuk do të jetë kështu. Nuk jam i marrë dhe, mbi të gjitha, nuk kam kohë të mjaftueshme për të futur shumë futbollistë të rinj”, është shprehur ai.

Nëse Ronaldo largohet pas sfidës me Uellsin, ai do të mbyllë një kapitull unik me kombëtaren portugeze. 41-vjeçari ka zhvilluar 233 ndeshje dhe ka shënuar 146 gola, duke mbajtur rekordet botërore si për paraqitjet, ashtu edhe për golat në nivel ndërkombëtar.

 

Me Portugalinë, Ronaldo ka fituar Kampionatin Europian në vitin 2016 dhe dy edicione të Ligës së Kombeve, në vitet 2019 dhe 2025, duke qenë figura kryesore e periudhës më të suksesshme në historinë e futbollit portugez.

Megjithatë, lamtumira nga kombëtarja nuk do të thotë fund i karrierës. Sulmuesi është ende nën kontratë me Al Nassr deri në verën e vitit 2027 dhe synon një tjetër rekord historik: arritjen e 1000 golave në karrierë. Aktualisht Ronaldo numëron 976 gola, dhe pas mbylljes së aventurës me Portugalinë do të përqendrohet te futbolli i klubeve për të realizuar këtë objektiv të jashtëzakonshëm.