Tri ditë që digjen plehrat në Fushë-Krujë, Kalaja denoncon: Tymi po helmon qytetarët, mbetjet vijojnë të hidhen
Tre ditë tym dhe flakë në malin e plehrave në Fushë-Krujë. Kryetari i PD-së Krujë, Aulon Kalaja sjell pamje nga terreni dhe ngre alarmin për një katastrofë mjedisore që po rrezikon shëndetin e mijëra qytetarëve.
Ndërsa zjarri vijon të jetë aktiv, në vendin e mbetjeve vijon edhe hedhja e plehrave të reja, duke ngritur pikëpyetje të forta për menaxhimin e mbetjeve dhe përgjegjësinë e institucioneve.
Kalaja denoncon se banorët e Fushë-Krujës, Krujës dhe zonave përreth po përballen prej ditësh me tymin e rëndë, ndërsa dyshon se djegia e mbetjeve mund të jetë një mënyrë për të liruar hapësirë për depozitimin e plehrave të tjera.
‘Tre ditë tym dhe kancer në mushkëritë e qytetarëve të Fushë-Krujës. Aty ku po vazhdojnë flakët e zjarrit, kanë kaluar tre ditë dhe jemi akoma me tym dhe flakë. Dhe ajo që të bën më shumë përshtypje është që këtu vazhdojnë të hidhen prapë plehra. Këto janë plehrat e reja. Janë djegur të tjerat dhe këto janë plehra që kanë qenë të hedhura vazhdimisht këtu në Kodër-Dollakë. Pra nuk do të zgjidhet ndonjëherë ky problem. Thjesht janë djegur plehrat ndoshta dhe me dashje që të pastrohet vendi dhe të vijnë këtu plehrat e reja pas denoncimeve që kemi bërë. Shiko këto janë të gjitha plehra që janë hedhur dje dhe sot. Tymi vazhdon. Pa u fikur akoma zjarri, kemi plehra të tjera që po hidhen ndërkohë. Ja t'i shikojmë. Janë plehra që i hedh bashkia. Shiko, të gjitha këto. Dhe këtu do të bëhet një mal tjetër me plehra. Pra i shikojmë. Janë arka, këto të divaneve, kemi mbetje organike, plehra të tjera, thasë, dru, gjithë lloj dhe gjëra. Ajo është Kruja. Këtu kemi Albanopolisin. Pra kjo është katastrofë mjedisore. Tre ditë tym dhe kancer në mushkëritë e qytetarëve të Fushë-Krujës, të Halilit, të Krujës dhe të gjithë erërat nga do të fryjnë, Mamurras, Tiranë... Kjo është e patolerueshme. Pyetja është se kur do t'i vihet flaka plehrave të reja? Vetëm këtë po presin qytetarët e Fushë-Krujës. Janë mësuar tani me tym dhe kancer në mushkëritë e tyre. Shikoni këto janë plehrat e reja në Kodër-Dollakë në Halil, Fushë-Krujë.’- u shpreh ai