'Nuk ka më besë për Ramën', qytetarët i përgjigjen KM: Dorëheqja dhe qeveria tranzitore janë rruga e vetme

 

Teksa vijojnë fjalimet nga podiumi i ngritur para Kryeministrisë, një prej aktivistëve u shpreh se qytetarët nuk do t’i japin më besën kryeministrit Edi Rama, pavarësisht thirrjes së tij të sotme për mbështetje.

Sipas tij, Rama e ka humbur besimin e shqiptarëve gjatë 13 viteve në pushtet dhe nuk mund të kërkojë më një marrëveshje besimi me qytetarët që prej 55 ditësh protestojnë për dorëheqjen e tij.

“Sot është dita e 55-të që jemi në shesh pa ndalim për të kërkuar dorëheqjen e këtij kryeministri. Sot ai u shfaq me zë dhe figurë duke kërkuar besën e shqiptarëve, por besa i jepet dikujt që nuk të ka prerë në besë për 13 vite rresht?”, tha aktivisti.

Ai shtoi se protesta do të vijojë deri në largimin e Ramës, duke akuzuar kryeministrin se po përpiqet të frikësojë qytetarët që të tërhiqen.

“Dje ai i preu në besë qytetarët që protestojnë prej 55 ditësh. Po përpiqet të na trembë që të shkojmë në shtëpi, por ne nuk do ta lejojmë këtë pushtet kriminal”, u shpreh ai.

Aktivisti deklaroi gjithashtu se Rama ndodhet përballë një situate pa rrugëdalje dhe se dorëheqja është e vetmja zgjidhje.

“Kryeministri ishte aty fizikisht, por fytyra i kishte ikur, sepse prej 55 ditësh na sheh në ëndërr. Ne do të jemi këtu derisa të japë dorëheqjen. Ai e di se nuk ka shpëtim dhe i vetmi shpëtim nga ky makth është largimi”, tha ai.

Në vijim, ai kërkoi që pas dorëheqjes së Ramës të krijohet një qeveri tranzitore, e cila sipas tij do t’i japë mundësi sistemit politik të rikthejë funksionimin demokratik.

“Rama po përpiqet që edhe pas dorëheqjes të shmangë përballjen me drejtësinë, por pas largimit e pret drejtësia. Kërkesa jonë e dytë është krijimi i një qeverie tranzitore, në mënyrë që sistemi të marrë frymë dhe demokracia të rikthehet”, përfundoi ai.