'Rama i izoluar përballë protestës', Muçollari: Shpik armiq imagjinarë për të përçarë qytetarët dhe për të mbajtur pushtetin

I ftuar në edicionin informativ të lajmeve, Grigels Muçollari, anëtar i Kryesisë së PD, foli mbi protestën qytetare, situatën politike në vend dhe qëndrimin e opozitës ndaj qeverisjes së Edi Ramës, ku u shpreh se qeveria ka dështuar në menaxhimin e vendit dhe ka zëvendësuar politikat reale të zhvillimit me slogane dhe propagandë.

Muçollari deklaroi se administrata shtetërore është deformuar dhe se kryeministri Rama po përpiqet të përballojë reagimin qytetar përmes përçarjes dhe krijimit të “armiqve imagjinarë”, në vend që t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve.

Ai u shpreh se, fjalimet dhe dokumentet e paraqitura nga kryeministri nuk përbëjnë qeverisje, ndërsa vendi ka nevojë për reforma reale, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një tranzicion politik përmes një qeverie teknike.

Anëtari i Kryesisë së PD theksoi gjithashtu se protesta ka sjellë një bashkim të rrymave opozitare dhe se mesazhi kryesor i qytetarëve është ndryshimi politik dhe largimi i Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë.

Pjesë nga deklarata:

Dështimi, dështimi i qeverisë, dështimi i të gjithë aparatit shtetëror në kryerjen e detyrës së tij. Dhe sot, nëse e vëmë re, nuk po flitet më për projekte, po flitet vetëm për slogane, po flitet për koncepte. Nuk ka më një politikë të qartë ekonomike zhvillimi, që përfshin zinxhirë të caktuar të cilët do të furnizojnë nesër ekonominë me para apo do të furnizojnë popullsinë me mirëqenie.

Sot kemi një administratë të deformuar dhe vetë kryeministri, në tentativën e tij për të qenë empatik dhe për të kërkuar pikërisht atë mbështetje, qoftë edhe nga të tijët apo nga njerëzit e administratës që sot i janë bashkuar protestës, e dëshmoi këtë.

E vetmja gjë që i ka ngelur sot Ramës është të mbajë popullin nëpërmjet dhunës së policisë apo të strukturave të tjera, gjë të cilën e tregoi dje. Dhe e thashë, ishte një ngjarje që tregonte se sa i vetmuar ndodhet sot kryeministri.

Patjetër, me një përpjekje maksimale, me një fjalim për të cilin mbase kanë punuar disa njerëz dhe me plot figura letrare për të zgjuar atë ndjesinë që “shiko, unë jam këtu me ju, me qytetarët”, por ndërkohë edhe për të përçarë protestuesit.

Ai mundohet t’i përçajë, mundohet të krijojë disa rryma, që do të thotë, mundohet të largojë administratën, mundohet të largojë qytetarët e shqetësuar, duke treguar se “shiko, unë tani do të jem ndryshe”.

Dhe çfarë bën? Paraqet një libër, paraqet një dokument, që mund të ishte një autobiografi shumë e mirë. Një kryeministër që thotë: “Unë e kam shkruar këtë dokument, unë e kam bërë këtë dokument”. Kjo nuk është qeverisje.

Qeverisja është të marrësh institucionet, të nxjerrin reformat që duhen bërë, të evidentojnë problematikat dhe mënyrën se si do të zgjidhen këto reforma, dhe më pas kryeministri, me linjën politike, të vendosë për to.

Edhe vetë kryeministri, në atë shfaqjen e tij, tregonte se si kishte shkruar një libër për reformat dhe kishte krijuar një dokument që, me të gjitha gjasat, ua la si detyrë.

Ju dha nga një libër. Dikur mbaj mend, profesorët apo mësueset, kur ishim të vegjël, na linin disa detyra që gjatë pushimeve të lexonim ndonjë libër. Por kjo nuk është qeverisje.

Kështu që tentativat e kryeministrit dëshmuan vetminë e tij. Dëshmuan një shtet të rrënuar tashmë, një shtet të deformuar, një shtet që nuk po qeveriset.

Dhe patjetër, më pas dëshmuan edhe gjendjen jo fort të qetë të kryeministrit, alarmin se protesta do të përshkallëzohet, pasi sinjalet në protestën e djeshme treguan një reagim më të fortë qytetar.

Ai po tenton të rimarrë frenat në dorë duke përdorur fjalime empatike, duke kërkuar të ndajë opinionin publik dhe duke folur për suksese imagjinare, që në fakt reflektojnë situatën ku ndodhet kryeministri, e cila nuk përputhet fare me realitetin.

E para njëherë, do të thoja që Partia Demokratike është në mbështetje 100% të protestës së qytetarëve. E shohim këtë si një moment të rishfaqjes së zgjimit shoqëror të Shqipërisë.

Kjo nuk ka ardhur pa kosto, edhe me përpjekjet e vazhdueshme të Partisë Demokratike për të mbajtur gjallë institucionin e protestës dhe për të reaguar në 13 vite.

Shoqëria sot ka reaguar dhe kjo është një arritje edhe e Partisë Demokratike. Kështu që, përtej historive apo krahasimeve se kush bën protesta më të mëdha, kjo nuk duhet parë në dobi të partive politike.

Në dobi të shoqërisë, në dobi të opozitës, është që qytetarët të ngrihen dhe të protestojnë vetë, edhe të pambështetur nga partitë politike. Dhe sot ia kemi arritur, siç po ndodh.

Në këtë aspekt, Partia Demokratike e mbështet dhe fton të gjithë opozitarët, të gjithë demokratët, të mbështesin protestën qytetare si të vetmen formë për të garantuar tranzicionin, dorëheqjen e kryeministrit, qeverinë teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

Por edhe nëse i referohemi kërkesave të protestës, protesta flet me gjuhën e opozitës.

Shiko, kryeministri ose nuk e lexon situatën, ose nuk e kupton, për të cilën kam dyshimet e mia, ose bën sikur nuk e kupton dhe po tenton me çdo lloj forme të deformojë reagimin qytetar.

I ka përdorur të gjitha mënyrat. Ka nxjerrë armiq imagjinarë: iranianë, grekë, serbë, gjermanë. Më pas nxori armik algoritmin, më pas përsëri nxjerr faktorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, të cilët tenton t’i bëjë pis dhe tenton të ndajë opinionin publik.

Këtu ka një të vërtetë të madhe. E vërteta është që kjo shoqëri nuk e do më Edi Ramën kryeministër. Kjo shoqëri ka nevojë për zgjedhje të lira e të ndershme.

Dhe e ka detyrim, jo vetëm kryeministri, por e gjithë klasa politike, t’u përgjigjet kërkesave të shoqërisë.

Vendi ka nevojë për zgjedhje të lira e të ndershme. Që kjo të ndodhë, ka nevojë për dorëheqje të qeverisë, ka nevojë për qeveri teknike. Se kush do të qeverisë Shqipërinë, le ta përcaktojnë zgjedhjet e lira e të ndershme.

Ama, nëse ajo protestë ka dhënë një mesazh për opozitën, ai ka qenë bashkimi. Në atë protestë, për herë të parë, kanë qenë të gjitha flukset opozitare së bashku, herë pas here edhe me bindje të ndryshme, me thirrje të ndryshme dhe me besime të ndryshme, por kanë gjetur pjekurinë politike për të bashkëjetuar dhe për të arritur qëllimin e madh, që është dorëheqja e Ramës.