Tragjedi në punimet e ‘Spotify Camp Nou’, humb jetën një punëtor 54-vjeçar

Një aksident i rëndë ka tronditur punimet për rikonstruksionin e stadiumit “Spotify Camp Nou”. Një punëtor 54-vjeçar ka humbur jetën pasi është goditur rëndë gjatë punës në impiantin e Barcelonës, duke u bërë viktima e parë fatale që nga nisja e projektit të transformimit të stadiumit.

Sipas agjencisë së lajmeve EFE, ngjarja ndodhi të premten dhe autoritetet morën njoftimin rreth orës 15:30. Shërbimet e policisë katalanase, Mossos d'Esquadra, mbërritën menjëherë në vendngjarje, por nuk mundën të bënin asgjë për të shpëtuar jetën e punëtorit.

Policia ka nisur procedurat standarde për raste të tilla, duke njoftuar gjykatën përkatëse dhe Departamentin e Punës dhe Biznesit të Katalunjës, për të hetuar rrethanat e aksidentit.

Ky është aksidenti i parë me pasojë vdekjen në kantierin e “Spotify Camp Nou” që prej fillimit të punimeve në qershor të vitit 2023. Projekti madhor i Barcelonës ka sjellë një transformim të plotë të stadiumit, me ndërhyrje të thella në strukturë dhe modernizimin e impiantit historik.

Aktualisht, punimet janë përqendruar në ndërtimin e tribunës së tretë dhe unazës së kompresimit, e cila do të shërbejë si mbështetje për çatinë e re të stadiumit. Instalimi i saj është planifikuar për verën e ardhshme.

Klubi i Barcelonës ende nuk ka bërë një reagim zyrtar për ngjarjen, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit tragjik.