'Çmimet rriten, pagat mbeten pas', Azo: Politikat e qeverisë kanë dështuar të mbështesin qytetarët dhe prodhimin vendas

E ftuar në emisionin "Kush Paguan" në Syri TV, gazetarja Dorina Azo u shpreh se rritja e pagave po humbet përballë çmimeve të larta, ndërsa familjet shqiptare po përballen me një kosto jetese që rëndon çdo ditë e më shumë mbi buxhetin e tyre.

 Sipas saj, afro 40% e të ardhurave familjare shkojnë vetëm për ushqime, një tregues që dëshmon hendekun e madh mes pagave dhe çmimeve reale në vend.

Ajo theksoi se mungesa e politikave mbështetëse për prodhimin vendas, rënia e bujqësisë, mungesa e subvencioneve dhe varësia nga importet kanë dobësuar konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.

Ndërsa qytetarët paguajnë më shumë për ushqime, qira dhe karburante, qeveria ka dështuar të ndërhyjë me masa konkrete fiskale që do të ulnin kostot dhe do të lehtësonin barrën mbi familjet shqiptare.

Pjesë nga deklarata:

Jo se kanë ndjesinë, por realisht është e pamjaftueshme. Dhe mendoj që, siç e tha edhe Rolandi, një nga faktorët kryesorë janë çmimet e larta. Ndaj, kjo pagë që ata fitojnë sot nuk është e përballueshme për një familje shqiptare. Çmimet e larta të ushqimeve, të qirave, por edhe të karburanteve, mendoj se janë shkaku kryesor që ne kemi humbur, të themi, komplet konkurrueshmërinë.

Nëse do të bënim një llogaritje të shpenzimeve mujore të një familjeje, gati 40% e të ardhurave të saj ende shkojnë për shpenzimet e ushqimit. 40% e tyre shkojnë për blerjen e ushqimeve, ndërkohë që në Europë ky nivel nuk kalon 18%. Kjo tregon se automatikisht çmimet e ushqimeve janë më të ulëta dhe të ardhurat janë më të larta, ndërsa tek ne ndodh e kundërta.

Ajo që përmendi edhe më përpara eksperti vjen sepse këtu ka një mungesë të fokusimit të politikave të qeverisë tek prodhimi. Produktet shqiptare kanë humbur konkurrueshmërinë dhe produktet kryesore që ne konsumojmë vijnë nga importi. Bujqësia ka gati tre vite rresht që ka një tendencë rënëse, pavarësisht se zë një peshë kryesore në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Kjo rënie vjen nga mungesa e subvencioneve.

Jo më larg se para një muaji, qeveria, në kulmin e rritjes së çmimeve të karburanteve, hoqi një nga skemat më të rëndësishme për fermerët shqiptarë, siç ishte nafta pa akcizë. Pra, në një kohë kur duhej të stimulonte dhe të ndihmonte fermerët, për t’i mbështetur përmes subvencioneve, ndodhi e kundërta.

Modelet dhe skemat janë shumë të qarta, siç ndodh edhe në rajon. Produktet bujqësore dhe blegtorale në rajon janë më të lira sesa në Shqipëri, sepse kostoja e prodhimit është më e ulët. Kjo vjen sepse atje fermeri subvencionohet dhe masat janë më mbështetëse ndaj tij. Ndërsa në Shqipëri subvencionet mungojnë dhe mungojnë masat konkrete që do të ndihmonin në uljen e kostove për prodhuesin shqiptar. Për këtë arsye kemi humbur konkurrueshmërinë.

Produktet e importit vijnë më pas edhe me një marzh fitimi të shtuar nga distributorët dhe supermarketet, çka sjell që qytetari t’i blejë më shtrenjtë këto produkte. Pavarësisht se kemi një rënie të euros dhe produktet teorikisht duhet të vinin më lirë, kjo nuk ndodh, sepse edhe marzhet e fitimit të kompanive që operojnë këtu nuk kontrollohen dhe arrijnë nivele të larta.

Gjithashtu, edhe për atë që përmendi Flavia, do të doja të ndalesha pak te taksat. Ne nuk kemi pasur lehtësime të barrës fiskale dhe këtë e pamë edhe me masat që u morën për shkak të luftës. Menjëherë të gjitha shtetet e rajonit, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut reaguan të parat, dhe më pas Serbia, e cila që në datën 22 mars, sapo filloi lufta në Ukrainë, nisi me uljen e taksave.

Ndërsa Shqipëria reagoi duke ngritur një bord. Nuk po e quaj masë, pasi po analizoj masat fiskale; ngritja e një bordi nuk është një masë fiskale që realisht do të ulte çmimin. Masa fiskale ishte ulja e akcizës. Ne morëm një masë për uljen e akcizës, nëse çmimi do të arrinte mbi 220 lekë, akciza do të ulej me 20%. Kjo masë është përdorur vetëm dy herë, që do të thotë gjithsej tetë ditë: një herë për pesë ditë dhe një herë për tre ditë. Efekti i saj financiar ka qenë 350 mijë euro.

Kjo është masa që ka marrë qeveria. Pra, mungojnë masat konkrete.