Kthesë në çështjen e Dritan Zaganit, Kushtetuesja urdhëron rigjykimin

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë një kthesë të rëndësishme çështjes së ish-oficerit të Policisë së Shtetit, Dritan Zagani. Me një vendim të arsyetuar, të zbardhur së fundmi, ajo ka pranuar ankimin e Zaganit, ka shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të 18 shkurtit 2025 dhe ka urdhëruar rishqyrtimin e çështjes.

Lajmi u bë i ditur nga avokati Dorian Matlija, sipas të cilit vendimi i Gjykatës Kushtetuese përbën “kthesën e parë reale të drejtësisë shqiptare në një nga çështjet më simbolike të persekutimit të një oficeri policie që denoncoi lidhjet e niveleve të larta të pushtetit me krimin e organizuar”.

Sipas Matlijës, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Gjykata e Lartë nuk kishte shqyrtuar në mënyrë efektive pretendimet kryesore të mbrojtjes, duke e bërë të drejtën e Zaganit për akses në drejtësi vetëm formale dhe duke cenuar të drejtën e tij për një proces të rregullt ligjor.

Në reagimin e tij, avokati argumenton se tashmë Gjykata e Lartë do të duhet të japë përgjigje për disa çështje thelbësore: cili ishte konkretisht ligji që kishte shkelur Zagani, si mund të mbahej ai penalisht përgjegjës për një operacion të drejtuar nga eprorët e tij, cilat ishin pasojat reale të veprimeve të tij dhe përse u shpërfillën provat që, sipas mbrojtjes, e shfajësonin atë.

“Vendimi kushtetues më në fund rrëzoi murin procedural që e mbante të paprekur dënimin e tij. Pritshmëria e ligjshme tashmë është që Gjykata e Lartë të zhvillojë një shqyrtim real dhe të përballet me pyetjen që drejtësia shqiptare e ka shmangur për më shumë se një dekadë: a u përdor procesi penal për të ndëshkuar dhe heshtur një oficer policie që denoncoi lidhjet e pushtetit me krimin?”, shprehet Matlija.

Dritan Zagani, ish-shef i Seksionit të Narkotikëve në Policinë e Fierit, u dënua me 4 vjet e 6 muaj burg për “shpërdorim detyre” dhe “moskallëzim krimi”. Ai u largua më pas nga Shqipëria dhe përfitoi azil politik, pasi kishte denoncuar publikisht lidhjet e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me grupin Habilaj, si edhe dekonspirimin e operacioneve policore.

Sipas mbrojtjes, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk përbën një pafajësi përfundimtare për Zaganin, por i hap rrugën një rishqyrtimi të plotë të çështjes, duke detyruar Gjykatën e Lartë të japë përgjigje për pretendimet që, sipas avokatit, ishin anashkaluar deri më sot.

NJOFTIM PËR SHTYP

Drejtësia për Dritan Zaganin merr kthesë. Gjykata Kushtetuese shfuqizon vendimin e Gjykatës së Lartë dhe e kthen dosjen për rigjykim
Më 21 korrik 2026 (mbërritur sot) Gjykata Kushtetuese zbardhi vendimin e saj me të cilin ka pranuar ankimin e Dritan Zaganit, duke shfuqizuar vendimin e datës 18 shkurt 2025, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe e ka kthyer çështjen për rishqyrtim.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese shënon kthesën e parë reale të drejtësisë shqiptare në një nga çështjet më simbolike të persekutimit të një oficeri policie që denoncoi lidhjet e niveleve të larta të pushtetit me krimin e organizuar.

Dritan Zagani, ish-shef i Seksionit të Narkotikëve në Policinë e Fierit, u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim për “shpërdorim detyre” dhe “moskallëzim krimi”. Ai nuk u akuzua kurrë se kishte përfituar nga detyra apo se kishte favorizuar trafikantë. Përkundrazi, episodet e përdorura kundër tij lidhen me operacione të suksesshme që sollën sekuestrimin e 109 kilogramëve kanabis në Shqipëri dhe arrestimin në Itali të një personi me 6 kilogramë kokainë. Megjithatë, gjykatat e dënuan pa identifikuar ndonjë ligj konkret të shkelur, ndonjë dëm të shkaktuar apo ndonjë qëllim kriminal të Zaganit.

Çështja nuk mund të ndahet nga konteksti politik. Zagani kishte denoncuar lidhjet e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me grupin Habilaj, trafikimin e drogës dhe dekonspirimin e operacioneve policore. Përpara se gjykatat të vendosnin për fajësinë e tij, Kryeministri Edi Rama e shpalli publikisht kriminel dhe bashkëpunëtor të trafikantëve të drogës, si dhe person që dekonspironte operacionet e policisë. Edhe ministri i Brendshëm e sulmoi publikisht dhe i paraqiti denoncimet e tij si shpifje të një personi që kërkonte të fitonte azil politik.

Koha tregoi se denoncimet e Zaganit nuk ishin fantazi. Grupi Habilaj u bë objekt procesesh penale dhe ish-ministri Tahiri u dënua penalisht. Ndërsa Zagani, i shpallur fajtor publikisht nga Kryeministri përpara vendimit të gjykatës, u detyrua të largohej nga vendi dhe sot jeton nën mbrojtjen e azilit politik.
Akuza kryesore lidhej me një operacion në Levan të Fierit. Sipas dëshmive dhe provave të paraqitura në proces, Zagani siguroi informacion të saktë dhe ia raportoi informacionin eprorit të tij të drejtpërdrejtë, Skënder Hita. Operacioni u drejtua nga ky i fundit, me dijeninë e drejtuesve të tjerë të policisë. Sipas prokurorisë, ky operacion solli anomali në një operacion tjetër për arsye se eprorët e Zaganit nuk u koordinuan me qendrën. Për habi të të gjithëve, Dritan Zaganit iu ngarkua një përgjegjësi penale e fabrikuar, ndërsa drejtuesit e operacionit nuk u proceduan kurrë.

Madje, Skënder Hita, ish eprori i Zaganit në atë episod, sot është promovuar në postin e Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit më 30 mars 2026. Ky kontrast është tregues i fuqishëm i karakterit selektiv të akuzës. Nëse operacioni në Levan kishte krijuar probleme, përgjegjësia nuk mund të ndalej te oficeri vartës që vetëm solli informacionin e vlefshëm dhe të harroheshin pikërisht eprorët që morët vendimin dhe drejtuan aksionin dhe nuk siguruan koordinimin e duhur me qendrën. Nëse drejtuesit nuk kishin kryer vepër penale, atëherë nuk shpjegohet se si i njëjti veprim u kthye në shpërdorim detyre vetëm për Dritan Zaganin.

Kjo forcon bindjen se akuza ishte fabrikuar keq për të diskredituar dhe neutralizuar personin që kishte prekur interesa politike dhe kriminale.
Gjykata e Lartë e mbylli çështjen me një formulë standarde, tipike prej atyre që synojnë të ulin shpejt dhe pa cilësi stokun e dosjeve me qëllim fshehjen e dështimit katastrofik të reformës në drejtësi, pa iu përgjigjur pretendimeve themelore të mbrojtjes në një çështje kaq delikate. Gjykata Kushtetuese konstatoi se kjo e kishte bërë aksesin e Dritan Zaganit në drejtësi vetëm formal dhe kishte cenuar të drejtën e tij për proces të rregullt ligjor.

Tani, pas arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese, detyra e Gjykatës së Lartë është që të shpjegojë konkretisht:

• cili ishte ligji i shkelur nga Zagani;

• si mund të përgjigjet penalisht për një operacion të drejtuar dhe kryer nga eprorët e tij;

• cila ishte pasoja reale, kur ai vetëm furnizoi me informacion të vlefshëm eprorët për qarkullimin e lëndëve narkotike;

• përse u shpërfillën provat shfajësuese dhe konteksti i presionit publik të ushtruar nga Kryeministri dhe ministri i Brendshëm.

Vendimi kushtetues më në fund rrëzoi murin procedural që e mbante të paprekur dënimin e tij. Pritshmëria e ligjshme tashmë është që Gjykata e Lartë të zhvillojë një shqyrtim real dhe të përballet me pyetjen që drejtësia shqiptare e ka shmangur për më shumë se një dekadë në këtë çështje: A u përdor procesi penal për të ndëshkuar dhe heshtur një oficer policie që denoncoi lidhjet e pushtetit me krimin?

Çështja Zagani ka rëndësi të drejtpërdrejtë edhe për mbrojtjen e sinjalizuesve. Mbrojtja e tyre duhet të jetë efektive kur denoncimi prek drejtuesit e vetë institucionit ose nivelet politike dhe kur përdorimi i kanaleve të brendshme mund ta ekspozojë sinjalizuesin ndaj hakmarrjes, diskreditimit publik apo ndjekjes penale