Tabaku: Kryeministri foli shumë gjatë por nuk tha asgjë për thelbin e protestës
Deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka reaguar në rrjetet sociale ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për protestën, duke e akuzuar se shmangu problemet reale që ngritën qytetarët.
Tabaku deklaroi se protesta nuk është kundër një çështjeje të izoluar, por kundër një sistemi që është ndërtuar nga qeveria përmes “ligjeve me porosi”, duke përmendur Ligjin për Investimet Strategjike dhe ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Deputetja rikthen në vëmendje edhe kundërshtimet për aeroportin e Vlorës në zonën Vjosë–Nartë dhe akuzon Ramën se po përdor propagandën për të shmangur përgjegjësinë politike.
Nga Jorida Tabaku
Kryeministri foli gjatë. Shumë gjatë. Por nuk tha asgjë për thelbin e protestës.
Kjo është një protestë kundër sistemit që ai vetë ndërtoi: kundër ligjeve me porosi, nga Ligji për Investimet Strategjike te ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Në vitin 2024, si kryetare e Komisionit të Integrimit Europian, së bashku me organizatat mjedisore dhe shoqërinë civile, ngrita publikisht shqetësimin për këto ndryshime. Bashkimi Europian paralajmëroi për rrezikun ndaj biodiversitetit, ndërsa Parlamenti Europian kërkoi kthimin pas të tyre.
Kjo është e njëjta qeveri që lejoi ndërtimin e aeroportit të Vlorës në zonën e mbrojtur Vjosë–Nartë, duke shpërfillur edhe kërkesën e Konventës së Bernës për pezullimin e punimeve.
Sot Kryeministri bën sikur e ka dëgjuar popullin. Por ai nuk është keqkuptuar: është kapur brenda sistemit që vetë ngriti.
Ky sistem nuk ndryshon me propagandë. Ai zhbëhet duke shfuqizuar ligjet me porosi dhe duke rikthyer shtetin në shërbim të qytetarëve.
Siç paralajmëronte Alexis de Tocqueville, demokracia rrezikohet nga tirania e shumicës.
Shqipëria ka nevojë për një fillim të ri. Dhe ndryshimi nis me largimin e kryearkitektit të këtij sistemi: Edi Ramës.