'Ndërkombëtarët po i kthejnë shpinën', Burimi: Rama ka hyrë në fundin e tij politik, shqiptarët nuk e duan më
I ftuar në edicionin informativ të lajmeve, gazetari Genc Burimi u shpreh se kryeministri Edi Rama ndodhet në fundin politik të qeverisjes së tij, pasi shumica e shqiptarëve nuk e duan më dhe asnjë ndryshim në retorikë nuk mund ta ndryshojë këtë realitet.
Burimi theksoi se Rama po përjeton të njëjtin refuzim që përjetoi edhe Emmanuel Macron në Francë, ndërsa e akuzoi për arrogancë, përpjekje për të shtypur protestat dhe izolim në rritje në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, kryeministri po ndjek të njëjtën rrugë si presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe zgjedhjet e parakohshme janë tashmë një skenar i pashmangshëm.
Pjesë nga deklarata:
Siç thoshte një psikanalist sot, diçka shumë të qartë, shumë të shkoqur: "Zoti Rama, mos kërkoni asnjë nga ato arsyet që po shfaqni sot në atë shpjegim." Arsyeja më e përmendur, më e qartë, ishte kur citoi një filozof francez, Tocqueville, të shekullit të kaluar, që e njihte mirë demokracinë në Amerikë. Çfarë thoshte ai? Kjo ndodh sepse, kur lideri është shumë i suksesshëm, kur u bën shumë gjëra njerëzve, njerëzit, në vend që të tregohen mirënjohës, tregohen mosmirënjohës, të padurueshëm dhe kërkojnë akoma më shumë. Ky ishte shpjegimi i Ramës.
Ndërkohë, shpjegimi ishte shumë i thjeshtë, e tha psikanalisti: "Zoti Rama, këta njerëz nuk të duan më." Është një shpjegim pa shpjegim: nuk e duan më.
Po i kthehemi Francës. Në Francë, kush është bilanci i Macronit dhe kush është bilanci i Ramës? Nuk krahasohen. Dhe prapë ka një divorc midis francezëve dhe Macronit, që, po të mundohesh ta kuptosh, nuk e kupton dot: nuk e duan më. Macroni ngjall sot te francezët neveri, alergji. Dhe fakti që në Kushtetutë e kanë parashikuar që pas dy mandatesh largohesh, përndryshe këta do të kishin bërë diçka më të zhurmshme. Por nuk e duan më. Vetë Macroni thotë: "Shiko, në mandatin tim ka rënë papunësia...", por nuk duan më të dëgjojnë. Nuk e duan më, është kaq e thjeshtë. Filluan me "jelekverdhët", që Macroni arriti ta mbyllte, sepse ishte një protestë e stërzgjatur. Po e paguan shtrenjtë gjithë këtë.
Kështu edhe Rama, kot mundohet më. Nuk është më as çështje zënie, nuk është as çështje arrogance, që do ta rregullojë arrogancën e ministrave e të tjerëve. Jo, nuk e duan më. Është patologjike. Figura e tij shkakton sot alergji te të gjithë brezat, sepse bëhen sondazhe. Dhe kur bëhen sondazhe, pyeten shumë shtresa sociale dhe grupmosha. Të gjitha ato shtresa sociale dhe grupmosha i ke në bulevard. Pra, mund të supozosh se te shumica e shqiptarëve ky personazh sot ngjall alergji. Sa më shpejt ta kuptojë, aq më e lehtë do ta ketë të gjejë zgjidhjen e duhur, pra ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.
Shiko, nuk duhet bërë përpjekje për ta kuptuar. Jemi në një formë bipolariteti, një lloj skizofrenie. Pra, në të njëjtin diskurs thuhet diçka dhe e kundërta. Për mua, rasti më patetik ishte ai i fermerit që kishte shkruar aty, që ishte, më duket, në Myzeqe, për të bërë atë pagesën, dhe që e kishin etiketuar me epitete.
Kështu që Rama, në një moment, thotë: "Shiko, flamingot janë miqtë tanë dhe sorrat e korbat janë armiqtë tanë", pak a shumë. Por çfarë dallimi bën kjo, kur vetë fermeri thotë: "Unë jam në atë protestë dhe nuk jam sorrë, jam flamingo"? Pra, kjo është inkoherenca. Kjo tregon se Rama nuk heq dorë. Rama kërkon ta mbysë këtë protestë. Thjesht, si kameleon, ndërron lëkurë. Kërkon tani të bëhet më bashkëpunues, pasi në fillim fare i anatemoi. Por qëllimi është i njëjtë: ta mbysë këtë protestë, edhe me mjete brutale.
Ai do të vazhdojë ta mbysë me shkopinj gome dhe me ato acidet që u hidheshin flamingove, duke thënë se janë sorrat. Nuk heq dorë ai. Ai po ndjek ekzaktësisht rrugën e Vuçiçit. Vuçiçi, në vitet e para, tha: "Le të protestojnë, nuk dua t'ia di, le të bërtasin." Pastaj organizoi anti-mitingje, ekzaktësisht si Rama. Më pas përdori mjete të papara dhune. Në Shqipëri ishte ky acidi, në Serbi ishte ai instrumenti me zhurmë që trulloste njerëzit. Pra, është e njëjta gjë.
Por Vuçiçi po dorëzohet, falë presioneve ndërkombëtare. Sot ai ka caktuar datë dhe po pranon parimin se këtë vit do të ketë zgjedhje të parakohshme. Kështu që Rama e ka të pashmangshëm këtë skenar. Sot ai është i kapur nga paniku, sepse, siç thotë shprehja: "Pas gushtit ikën vapa, një Zot e di ç'na pret, vjen dimri mbrapa." Kjo është frika e tij, sepse kjo protestë ka zgjatur dy muaj. Logjikisht do të vazhdojë edhe një muaj tjetër. Arrin shtatori, fillojnë shkollat, gjimnazet, fakultetet.
Rama po shikon se shtypi shqiptar po boton artikuj nga e gjithë bota: Le Monde, shtypi gjerman, shtypi amerikan. Këta nuk janë më artikujt e parë të dy muajve më parë, për flamingot apo vizualizimin. Janë artikuj që po skanojnë regjimin e Ramës: regjim i korruptuar, regjim që vjedh zgjedhjet, regjim arrogant.
Sot Rama mundohej ta mbyllte këtu. Kur pretendon se "nuk duhet të jemi më arrogantë", pikërisht në atë moment mishëronte arrogancën, sepse nuk mund të organizosh një aktivitet të Partisë Socialiste në Pallatin e Brigadave. Pallati i Brigadave nuk është seli e PS-së. Duhet të paguhet qira, siç bëjnë të gjithë. Pra, ky aktivitet vazhdon me arrogancë, duke trajtuar arkën e shtetit si arkën e pushtetit. Siç ishte edhe rasti i Redi Muçit, që e kishit marrë për qejfin e tij në Pallatin e Brigadave.
Këtë nuk e kupton ai: këtë rrezatim të një personazhi autokratik e të plotpushtetshëm, që është një rrezatim toksik. Toksik për shqiptarët, por tani edhe për të huajt. Sot Rama ka arritur statusin e një Vuçiçi, të një Erdogani, pa përmendur Putinin, por edhe të një Aliyevi në Azerbajxhan. Personazhe që janë bërë toksikë. Nuk u afrohet kush më. Në një moment shpresonte se i afrohej Macroni. Ishte koha kur shtypi ndërkombëtar ende nuk e kishte të qartë se protestat nuk ishin vetëm për zëvendësin, por kundër Ramës. Sot Rama e pa se Macroni as nuk iu afrua dhe as nuk i kushtoi vëmendje në Ankara; i ktheu kurrizin. Është bërë toksik.