FIFA do të dëmshpërblejë Barcelonën për dëmtimin e De Jongut, klubi mund të përfitojë deri në 7.5 milionë euro

Dëmtimi i Frenkie de Jong gjatë Kupës së Botës 2026 nuk është vetëm një goditje për Barcelonën në aspektin sportiv, por mund të sjellë edhe një kompensim të rëndësishëm financiar nga FIFA.

Mesfushori holandez pësoi këputje të ligamentit anësor të brendshëm të gjurit të djathtë gjatë grumbullimit me kombëtaren e Holandës, një dëmtim që do ta mbajë jashtë fushave për disa javë. Edhe pse Barcelona nuk ka bërë ende të ditur kohën e saktë të rikuperimit, klubi katalanas pritet të përfitojë nga Programi i Mbrojtjes së Klubeve i FIFA-s.

Sipas rregullores, një klub ka të drejtë të marrë kompensim nëse një futbollist dëmtohet gjatë angazhimit me kombëtaren dhe mungesa e tij zgjat më shumë se 28 ditë. Në rastin e De Jongut, ky kusht pritet të plotësohet.

Rregullorja parashikon një dëmshpërblim maksimal prej 7.5 milionë eurosh për çdo futbollist, me një pagesë ditore që mund të arrijë deri në 20.548 euro. Kompensimi mund të jepet për një periudhë maksimale prej 365 ditësh, ndërsa shuma përfundimtare do të varet nga koha që De Jong do të qëndrojë jashtë fushës.

Një nga çështjet që mbetet për t'u sqaruar është data nga e cila do të nisë llogaritja e periudhës së mungesës. Holanda u eliminua nga Botërori më 30 qershor dhe De Jong u rikthye në Barcelonë për ekzaminime të tjera, pasi kishte luajtur për një pjesë të turneut me probleme në gju.

Vetë futbollisti kishte bërë të ditur se mjekët e kombëtares i kishin garantuar se aktivizimi nuk do ta përkeqësonte dëmtimin, por pas kontrolleve të kryera nga stafi mjekësor i Barcelonës u konstatua se situata ishte rënduar, duke u diagnostikuar këputja e ligamentit anësor të brendshëm.