Klopp kërcënon në prezantim: Nëse preket familja ime...
Jürgen Klopp ka nisur zyrtarisht aventurën si trajner i kombëtares së Gjermanisë, duke dhënë një konferencë për shtyp plot emocione, por edhe me mesazhe të forta për të ardhmen e tij në stolin e "Mannschaft".
Tekniku 59-vjeçar e cilësoi emërimin si një nga momentet më të rëndësishme të karrierës.
"Është një nder i madh të jem këtu. Ajo që më ka ndodhur ditët e fundit duket si një film. Duke ditur se nga vij, nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të arrija deri këtu. Në mënyrë ideale, ky është kulmi i karrierës sime", deklaroi Klopp.
Megjithatë, ish-trajneri i Liverpoolit paralajmëroi se nuk do të qëndrojë në detyrë me çdo kusht.
"Nëse nesër njerëzit thonë se nuk jam i duhuri, largohem. Ditën që nuk më duan më, do të iki pa kërkuar asnjë dëmshpërblim. Më kritikoni nëse gjërat nuk funksionojnë, sepse puna është ajo që ka rëndësi", u shpreh ai.
Klopp nuk harroi të vendoste edhe një kufi të qartë sa i përket jetës private.
"Nëse njerëzit sillen keq dhe nuk e lënë të qetë familjen time, atëherë do të largohem", ishte paralajmërimi i prerë i trajnerit gjerman.
Në aspektin sportiv, ai pranoi se Gjermania nuk ka aktualisht lojtarë të nivelit të Kylian Mbappé-së, Ousmane Dembélé, Désiré Doué apo Bradley Barcola, por shtoi se kjo nuk e pengon kombëtaren të synojë trofetë.
"Ne mund të fitojmë edhe kështu", theksoi ai.
Klopp bëri të ditur se do të ndjekë nga afër të gjithë lojtarët e grumbullueshëm dhe premtoi se do t'u japë mundësi edhe futbollistëve që ndoshta nuk e presin një shans.
"Më pëlqen të jem guximtar. Dua që skuadra të luajë një futboll që njerëzit ta shijojnë, edhe pse suksesi nuk vjen gjithmonë menjëherë", përfundoi ai, duke nënvizuar se synimi i tij është ta rikthejë Gjermaninë në majën e futbollit botëror.