Arrestohet pronari i një argjendarie në Lezhë

Një operacion i Policisë së Lezhës ka çuar në arrestimin e 39-vjeçarit Arbër Margjeka, pronar i një argjendarie në qytetin e Lezhës, i dyshuar se tregtonte bizhuteri floriri dhe ora dore të markave luksoze të vjedhura jashtë shtetit dhe të futura në Shqipëri në mënyrë të paligjshme.

Sipas hetimeve paraprake, 39-vjeçari dyshohet se siguronte sendet me vlerë përmes kontrabandës dhe më pas i shiste në biznesin e tij.

Gjatë kontrollit të ushtruar në argjendari, policia sekuestroi 133 ora dore të markave luksoze pa dokumentacion që provonte origjinën e tyre, rreth 3.3 kilogramë bizhuteri floriri pa faturat përkatëse të blerjes, si dhe 270 500 lekë dhe 2 700 euro, të dyshuara si të ardhura të përfituara nga kjo veprimtari kriminale. Vlera e përgjithshme e sendeve të sekuestruara llogaritet rreth 300 mijë euro.

Njoftimi i policisë:

Shiste në argjendarinë e tij, në qytetin e Lezhës, bizhuteri floriri dhe ora dore të markave luksoze, të dyshuara të vjedhura jashtë shtetit, arrestohet 39-vjeçari.      

Sekuestrohen bizhuteri floriri (me peshë totale rreth 3.3 kg) dhe 133 ora dore të markave luksoze, me vlerë rreth 300 000 euro, si dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.   

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Lezhë, u finalizua në drejtimin e Prokurorisë, operacioni i koduar “Final O’clock”, për goditjen e një rasti të shitjes së sendeve me vlerë të kontrabanduara, të dyshuara të vjedhura jashtë vendit.        
 
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasi A. M., 39 vjeç, banues në Lezhë.   

Ky shtetas shiste në argjendarinë e tij, në qytetin e Lezhës, bizhuteri të ndryshme floriri dhe ora dore të markave luksoze, të dyshuara të vjedhura jashtë shtetit, të cilat dyshohet se ai i siguronte pas kontrabandimit të tyre në Shqipëri.    

Gjatë kontrollit në subjektin e 39-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 133 ora dore të markave luksoze pa dokumentacion shoqërues që provon origjinën e tyre, bizhuteri të ndryshme floriri (me peshë rreth 3.3 kg) pa faturat përkatëse të  blerjes, rreth 270 500 lekë dhe 2 700 euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.     

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me 39-vjeçarin. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.