Besa e një të pabesi
Nga Alba Kepi
Besa e një të pabesi është mashtrim, Kryeministër.
Arbi, bujku nga Lushnja, nuk është vetëm sot. Ai ka sheshin plot me mijëra shqiptarë.
Qyqar keni mbetur ju, Kryeministër.
Vetëm nuk është as nëna që rrit një fëmijë me autizëm dhe kërkon mbështetje nga një shtet që duhet të ishte pranë saj. Ka plot sheshin sot kundër territ që ia ke bërë jetën.
Vetëm nuk është as i sëmuri që zgjohet pa gdhirë për një vizitë mjekësore, ndërsa përballet me një sistem ku kujdesi shëndetësor është bërë një luks dhe ku shumë njerëz ndihen të detyruar të kërkojnë shpëtim në klinika private ose jashtë Shqipërisë.
Vetëm nuk është sot pensionistja që, pas një jete pune, kërkon të jetojë me dinjitet dhe të mos numërojë qindarkat në fund të muajit.
Vetëm nuk është as qytetari i thjeshtë që kërkon drejtësi, siguri dhe respekt.
Ata sot kanë njëri-tjetrin.
Vetëm jeni ju, Kryeministër. Fillikat keni mbetur.
Kjo është vetmia juaj e sheshi plot, mijëra shqiptarë kundër jush!
E besa nuk është një fjalë që mund ta përdorni vetëm kur ju leverdis.
Besa është nder. Fjala më e shenjtë e më antike e identitetit të shqiptarit.
Besa është përgjegjësi. Besa është fjala që mbahet kur merret një përgjegjësi .
Por ju e keni shkelur këtë besë. E jeni i pabesë.
E keni shkelur besën dhe të atyre që ju dhanë votën.
Besa juaj qe pabesia e paktit me të keqen, me kriminelë, bandistë, narkotrafikantë, hajdutë.
Ju sollët në majat e shtetit njerëz të lidhur me botën e krimit. Persona me rekorde kriminale u bënë deputetë, ministra, drejtues dhe funksionarë. I dhatë pushtet anti besës shqiptare e ulët në krah antishqiptarët e Ballkanit.
Krijuat një sistem që shkatërroi atë që shqiptari ka më të shenjtë ; pronën, identitetin e familjen. Larguat e ndatë fëmijët nga prindërit e mburreshit me emigrantë të huaj që do punonin tokën shqiptare.
Shqiptarët nuk jetojnë me dokrra.
Ata jetojnë me vështirësitë e tyre. Me varfërinë. Me pasigurinë. Me mungesën e drejtësisë. Me ndjenjën se zëri i tyre nuk dëgjohet e se xhepat e tyre po pasurojnë të pabesët si ju.
Ku mbeti besa?
Shqiptarët nuk mund të jenë bashkëudhëtarë të një bese të lidhur me të keqen.
Nuk ka makinacion e diversion që mund të ju ndihmoj nga vetmia e pabesisë që i ke bërë shqiptarëve duke i vjedhur votën, dhunuar moralisht, psikologjikisht e fizikisht ndērsa protestojnë paqësisht kundër këtij sistemi.
Fillikat keni mbet!
Sheshi është plot kundęr jush me besën për të shpëtuar Shqipërinë nga të pabesë si ju!