Pasi i dhunoi gjatë protestës, Policia procedon 32 qytetarë, 2 prej tyre arrestohen

Një ditë pasi protesta e 54-t qytetare para Kuvendit u shoqërua me ndërhyrje të ashpër të forcave të policisë ndaj protestuesve, Policia e Tiranës ka njoftuar procedimin penal të 32 qytetarëve dhe arrestimin e dy prej tyre.

Sipas njoftimit zyrtar, dy protestues janë arrestuar, ndërsa 30 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë, me akuzat për kundërshtim të punonjësve të Policisë, pengim të qarkullimit dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme. Policia pretendon se gjatë protestës janë hedhur sende të forta dhe mjete piroteknike ndaj efektivëve, duke bërë me dije se gjashtë punonjës policie kanë mbetur të lënduar.

Ky zhvillim vjen pasi protesta e së enjtes u shoqërua me pamje të shumta të transmetuara nga SYRI TV, ku efektivët shiheshin duke përdorur gaz lotsjellës, ujë me piper dhe forcë fizike ndaj qytetarëve. Nga ndërhyrja mbetën të lënduar disa protestues, mes tyre edhe një vajzë me dëmtime në fytyrë, ndërsa një grua e moshuar u tërhoq zvarrë nga efektivët teksa qëndronte e ulur në asfalt në shenjë mosbindjeje civile.

Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, protestuesit nuk u larguan nga sheshi dhe vijuan tubimin deri në përfundim, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.

Njoftimi i policisë:

Hodhën sende të forta dhe mjete piroteknike në drejtim të punonjësve të Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, pranë Parlamentit, identifikohen 32 shtetas.  

Arrestohen në flagrancë 2 prej tyre, procedohen në gjendje të lirë 30 të tjerët. 

Gjatë tubimit u dëmtuan 6 punonjës policie. 

Më datë 23.07.2026, rreth orës 09:30, në rrugën “George W. Bush”, pranë Parlamentit, u zhvillua një tubim gjatë të cilit, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit të planëzuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur në drejtim të tyre, sende të forta, mjete piroteknike dhe sende të tjera.

Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 32 shtetas që dyshohet se kanë kryer këto veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim: 

-u arrestuan në flagrancë shtetasit O. P., 41 vjeç dhe A. I., 44 vjeçe, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit P. D., A. M., E. K., E. K., V. H., K. P., A. P., D. D., J. A., E. K., Y. T., M. R., V. M., A. B., S. D., E. I., A. S., E. H., E. S., I. D., E. P., C. M., D. T., E. L., F. A., A. Ç., A. Zh., F. S., A. B. dhe I. M., për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kapsolla të cilat u gjetën në një qese plasmasi që e mbante shtetasja e arrestuar A. I.

6 punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.