Rama ia ngec korrupsionin administratës së tij: Vidhni, fytyrën e keni bërë si prapanicë

Kryeministri Edi Rama pranon se qeverisja e tij arrogante, korrupsioni kanë nxitur qytetarët të dalin në shesh dhe se tashmë mes qeverisë së tij dhe popullit shqiptar në shesh 'ka një hendek të madh'

Por si gjithmonë kryeministri u përpoq të fshihte përgjegjësinë e tij si kreu i qeverisë duke përdorur retorikën populiste autoritare, atë që 'të tjerët i hajnë dardha prapa krahëve'

Gjatë mbledhjes me grupin e PS-së, Rama pranon se protesta që nuk ndalet prej 54 ditësh - në bulevard poshtë zyrës së tij, në  të gjithë Tiranën, qytete e diasporë thirret 'dorëheqje'  e ka nxjerrë 'cullak' atë bashkë me administratën e tij  por se si gjithmonë fajin nuk e ka ai por zyrtarët e zgjedhur nga ai ‘njerëz që fytyrën e kanë parkuar në vend të prapanicës’ apo ‘ata që u kërkojnë dhe lekë’

Pjese nga fjala e Rames

Duam ne s'duam ne, njerëzit presin çdo ditë e më shumë dhe bëhen gjithnjë e më pak tolerantë. Sidomos pastaj ndaj përvojave të tyre të hidhura me administratën, që si mijëraa e mira pika të mbledhura lart e poshtë, e derdhën kupën e durimit të tyre në bulevard. Ai hendek nuk u hap për të qëndruar ashtu, po për t'u mbyllur.

Dhe mbyllja e tij nuk bëhet dot as duke bërë sikur ai u mbyll vetë, meqë bulevardi u zbraz nga flamingot dhe aty mbetën vetëm puplat e dritëzinjve dhe vezët e punëzinjve.

As duke u kapur thjesht më fort pas fakteve dhe duke menduar ne se përjetimi i popullit do të ndryshojë kur ne t'ia përsërisim faktet tona edhe 100 herë të tjera, as duke bërë thjesht ca lëvizje njerëzish, dhe duke bindur veten se populli do të bindet kur të shohë veprën aty ku sot ai shikon atdheun e nxjerrë në shitje. Asnjë nga këto, as të tëra bashkë, nuk mjaftojnë dot për ta mbyllur atë hendek.

...Një djalë që akoma sot unë nuk e njoh për fytyrë, po e quaj Arbër, pasi s'kam leje t'i përdor emrin, nuk e nxori në bulevard të mos pajtimit me statistikat. As kundërshtia me faktet tona kokëforta në mbështetje të bujqësisë. E nxori përjetimi, përvoja e mungesës së empatisë në marrëdhënien e tij personale me shtetin. Ai është një fermer nga një fshat i Lushnjës. Ka 8 vjet që merret me bujqësi, e nisi me 1 hektar manaferra, krijoi një shoqëri bashkëpunimi bujqësor, kaloi tek kajsitë e një varieteti të patentuar dhe sot ka 12 hektarë me kajsi. Ka lidhur marrëveshje me një kompani të madhe italiane dhe ka përgatitur një plan biznesi prej 1.5 milion eurosh për të investuar në 8 vjet hektarë tokë publike në Vlorë. Plan të cilin e ka çuar në Ministrinë e Bujqësisë. Tre vjet priti përgjigje. Tre vjet. Priti përgjigjen, jo tokën, përgjigjen. As po, as jo. As bëhet, as nuk bëhet. Rri prit. Në mesazhin e tij, Arbëri shkruajti, citoj: "Nuk e di nëse jam sorrë, flamingo apo korb. Jam një katunar që e dua sado pak këtë vend." Unë fola me të. Po në atë pasqyrën e bulevardit të flamingove ishin plot si ai. Ku unë pashë se sa e padurueshme është bërë për njerëzit mungesa e empatisë së njerëzve të shtetit. Arroganca e zyrtarëve pagjakë që u flasin sikur të kenë karrigen në vend të fytyrës, ndërkohë që fytyrën e kanë parkuar në vend të prapanicës. Dhe këtu s'po flas fare, hiç, për ata që u kërkojnë dhe lekë, se pastaj është fjali më vete ky"

Për Arbërin, fermerin e kthyer në flamingo, Shqipëria po u jepte të huajve atë që administrata shqiptare nuk denjonte as t'ia thoshte qartë, nëse mund t'ia jepte ose jo atij. Një djalë i Shqipërisë që po kërkonte prej 3 vjetësh tokë për ta bërë më të mirë këtë vend edhe me punën e tij, duke e bërë vendin më të mirë edhe për familjen e tij. Ai nuk e mbante më veten, i kishte plasur shpirti. Dhe shkruante nga protesta në mesazhin e tij:

'Lekë për ryshfet unë nuk kam dhe as e kam çuar ndërmend, sepse edhe këto vonesa e dimë se për çfarë bëhen.'

Kur fola me të i shpjegova situatën me procedurën. Ndalimin që ne i kemi bërë dhënies me qera të tokave të papunuara publike në bujqësi, pasi në vitet e para të qeverisjes sonë u dhanë qindra e mijëra hektarë të atilla, dhe u kthyen në letra për lloj-lloj pazarxhinjsh, duke krijuar dhe konflikte me bujqit. Por çfarë do? Këto fakte ai i dëgjoi pas tre vjetësh!

Dhe unë u ndjeva si ai që nuk thuhet kur ia shpjegoja. As morëm mundimi tia shpjegojmë tre vjet. Dhe e lanë në ajër madje e krijuan dhe idenë poshtëruese se mbase duhej të paguante lekë për një gjë që nuk bëhej. Dhe normal çdo shpjegim që mund ti japësh pasi ka dalë në protestë tingëllon si arrogancë. 

Dhe normal, përballë tre viteve në plan biznesi, një njeri që jeton me tokën, një njeri që numëron kajsitë në 12 hektarët e tij, një njeri që ka partnerë dhe ambicie, një njeri që mban mënjanë 1.5 milion euro... çdo shpjegim që mund t'i japësh pasi ai ka dalë në protestë nuk tingëllon si justifikim. Tingëllon si një arrogancë përmes një prralle që ai s'e di, a e besoi apo s'e besoi në fund. Po di që pasi fola me të, kërkova me zë pak më të lartë se ky sot, pse nuk i jepet përgjigje atij djali?

Pse duhet ai të presë tre vjet vetëm për të mësuar që kjo kërkesa jote nuk bëhet mo vëlla? Sepse halli nuk bëhet më i vogël kur zgjidhet me një 'jo', po bëhet më poshtërues kur mbetet as 'po' as 'jo'.

Pas asaj orësh vjen një mesazh, një screenshot nga postimet e pemës në protestë, si për të më thënë që mos u mërzit shefi se ky tipi është kundër qeverisë, nuk u bë qameti që u mërzit ky. Dhe ja ku del i gjithi cullak, jo problemi që kanë flamingot me ne, por problemi që kemi ne me veten.