Kampioni i Botës me Brazilin shpërthen ndaj ekipit të Ançelotit: Kombëtarja më e keqe e të gjitha kohërave

Ish-kampioni i Botës me Brazilin në vitin 1958, Hose Altafini, ka kritikuar ashpër paraqitjen e “Seleçaos” në Botërorin 2026, duke e cilësuar skuadrën aktuale si më të dobëtën në historinë e kombëtares braziliane.

Në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera”, në ditën e 88-vjetorit të tij, Altafini nuk i kurseu kritikat për ekipin e drejtuar nga Carlo Ançeloti.

“Një ekip i pahijshëm, ekipi kombëtar më i keq i të gjitha kohërave”, deklaroi ish-sulmuesi brazilian, duke shprehur zhgënjimin e tij për nivelin e treguar nga Brazili në turneun më të madh të futbollit botëror.

Megjithatë, Altafini vendosi të mbrojë trajnerin italian Carlo Ançeloti, duke thënë se ai nuk kishte shumë mundësi për të ndryshuar situatën.

“Ançeloti nuk mund të kishte bërë asgjë për këtë. Rivelino tha se Brazili i së kaluarës do të kishte fituar gjithmonë 1-0… Pse 1-0? Sepse Pele ka vdekur dhe ne jemi tetëdhjetë vjeç”, tha me humor Altafini, duke iu referuar brezave të mëparshëm të lavdishëm të Brazilit.

Ish-futbollisti legjendar pranoi gjithashtu se futbolli modern nuk e tërheq më si dikur.

“A e ndoqa Kupën e Botës? Disa ndeshje, por jo të gjitha. Kjo botë nuk më përket më mua, është shumë punë. Unë e përjetova futbollin tim dhe ishte shumë i bukur”, u shpreh ai.

Në fund, Altafini zbuloi edhe listën e tij me pesë futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Sipas tij, ata janë: Pele, Lionel Messi, Diego Maradona, Ronaldinho dhe Ronaldo Nazario.