Aksident i rëndë në Elbasan-Rrogozhinë ku humbi jetën 73-vjeçari, banorët kërkojnë masa për sigurinë në rrugë

Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin Elbasan-Rrogozhinë, pranë fshatit Përparim, ku një këmbësor ka humbur jetën pasi është përplasur nga një furgon mallrash.

Viktima është identifikuar si Agim Hoxha, 73 vjeç. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se i moshuari ka qenë duke kaluar rrugën në momentin kur është goditur nga furgoni, i cili mësohet se ishte në parakalim. Për zbardhjen e plotë të rrethanave pritet këqyrja e kamerave të sigurisë në zonë dhe marrja e dëshmive të personave që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes.

Banorët e zonës shprehen të tronditur nga aksidenti, ndërsa ngrenë shqetësimin se raste të tilla janë të shpeshta në këtë aks rrugor. Sipas tyre, shkak kryesor mbetet shpejtësia e lartë e automjeteve dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit.

Ata thonë se mungesa e ndëshkimeve për drejtuesit që shkelin rregullat ka sjellë përsëritjen e tragjedive. Një prej rasteve më të dhimbshme të përmendura prej tyre është ai i 8-vjeçarit Enio Tabaku, i cili humbi jetën në këtë aks. Familjarët e tij pretendojnë se procesi gjyqësor ndaj autorit po zvarritet dhe se shtyrjet e seancave ua shtojnë dhimbjen.

Aksi Elbasan-Rrogozhinë konsiderohet një ndër rrugët me rrezikshmëri të lartë në qarkun e Elbasanit. Pas protestave të zhvilluara vitin e kaluar, në zonë janë vendosur kufizues shpejtësie dhe tabela sinjalizuese, ku limiti i lejuar është 30 km/h. Megjithatë, banorët thonë se shumë drejtues mjetesh nuk i respektojnë këto masa.

Ata kërkojnë ndërhyrje më të forta nga autoritetet dhe kontrolle të shtuara, pasi ndihen të rrezikuar sa herë kalojnë në këtë segment rrugor.