Skandali i TEC-eve rangallë në Vlorë, Blushi: Interpelancë urgjente për aferën që po gllabëron dhjetëra milion euro
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi se ka depozituar në Kuvend kërkesën për një interpelancë urgjente me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë për çështjen e TEC-eve lundruese në Vlorë.
Blushi i cilësoi TEC-et si një aferë të shpërdorimit të parave publike, duke akuzuar qeverinë se po shpenzon miliona euro për një projekt që, sipas tij, nuk ka sjellë përfitime për sistemin energjetik.
Ai kundërshtoi edhe kontratën e re prej 20 milionë eurosh për operimin dhe mirëmbajtjen e tyre, ndërsa ngriti pikëpyetje për ndikimin mjedisor në Gjirin e Vlorës dhe kërkoi transparencë për çdo fond të shpenzuar.
Partia e Lirisë, tha Blushi, mbështet protestat qytetare për largimin e TEC-eve dhe kërkon ndërprerjen e financimit publik për këtë projekt.
DEKLARATA E PLOTË:
Sot depozitova zyrtarisht në Kuvend kërkesën për zhvillimin e një interpelance urgjente me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë për aferën e dy TEC-eve rangallë lundruese në Vlorë, që vazhdojnë të gllabërojnë dhjetëra milionë euro nga xhepat e shqiptarëve pa prodhuar asnjë përfitim real për sistemin energjetik.
Ky është një nga skandalet më të mëdha të shpërdorimit të parave publike, i vënë në jetë nga Edi Rama dhe Belinda Balluku.
Një projekt i propaganduar si "zgjidhje strategjike" është shndërruar në një gropë të zezë korrupsioni, ku pasi janë harxhuar dhjetëra milionë euro për TEC-e që pothuajse nuk kanë prodhuar energji, qeveria kërkon të zhvasë edhe 20 milionë euro të tjera vetëm për operimin dhe mirëmbajtjen e tyre.
Edhe më i rëndë është fakti se mbi këtë aferë rëndon tashmë hija e konfliktit të interesit dhe e ndikimit politik të mafias ndërkombëtare. Emërimi i ish-Ambasadores së SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, në drejtimin e kompanisë që zotëron këto TEC-e të amortizuara, të sjella nga Bangladeshi, ngre pikëpyetje serioze mbi interesat që kanë mbajtur në këmbë këtë skemë. Shqiptarët meritojnë të dinë nëse kemi të bëjmë me një rastësi apo me mbrojtjen politike të një afere korruptive.
Ndërkohë, TEC-et vazhdojnë të kërcënojnë Gjirin e Vlorës, duke dëmtuar mjedisin, turizmin dhe shëndetin e qytetarëve, ndërsa qeveria vazhdon të financojë ndotjen me paratë e taksapaguesve.
Për këtë arsye kam kërkuar interpelancën parlamentare. Ministri duhet të japë llogari për çdo euro të shpenzuar, për tenderin e ri 20 milionë euro, për dëmin mjedisor dhe për çdo lidhje që ka mbajtur gjallë këtë aferë.
Partia e Lirisë mbështet plotësisht protestën qytetare për largimin e menjëhershëm të këtyre TEC-eve rangallë. Kërkojmë ndërprerjen e çdo pagese publike për këtë skemë grabitjeje, transparencë të plotë dhe vendosjen para përgjegjësisë të të gjithë autorëve të këtij skandali. Paratë e shqiptarëve nuk mund të trajtohen më si plaçkë për klientët e qeverisë.