Ndjekje si në filma në Itali/ Shqiptari thyen postbllokun policor dhe terrorizon turistët
Nga Lara Facchini, CORRIERE ADRIATICO
Një skenë si në film ajo që panë qytetarët dhe turistët në Porto d'Ascoli në Itali. Mbrëmë, pak pas orës 18:00, bregdeti përballë Rrethrrotullimit Salvo d'Acquisto në via Mare ishte skenë e një ndjekjeje nga një patrullë e karabinierëve ndaj një burri me origjinë shqiptare, i cili nuk u ndal në shenjën e ndalimit të postbllokut në via Pasubio.
Dinamika
Burri ishte mbi motoçikletën e tij kur hasi postbllokun e karabinierëve, të angazhuar në një seri kontrollesh rutinë. Megjithatë ai nuk pati aspak ndërmend të pajtohej me urdhrin për t'u ndalur, të dhënë nga forcat e rendit të drejtuara nga majori Francesco Tessitore. Përkundrazi, u arratis.
Nga zona jugore e qytetit, ajo tregtare pranë autostradës, ai arriti të shkonte deri te rrethrrotullimi i Porto d'Ascolit, duke u përpjekur t'i shpëtonte patrullës së karabinierëve dhe mjeteve të tjera që ndërkohë ishin njoftuar.
Si përgjigje, më pas, i riu shqiptar hodhi motorin me të cilin po lëvizte dhe u fsheh pikërisht pranë rrethrrotullimit të Porto d'Ascolit, në mes të zonës turistike, nën sytë e habitur të qindra njerëzve që asistuan në skenë, pasi ajo ishte ora e kthimit nga plazhi dhe zona është e mbushur.
Prangat
Ai ishte barrikaduar brenda Levante House. Jashtë strukturës prestigjioze, të gjithë ushtarakët e disponueshëm në shërbim po përpiqeshin ta gjenin. Një mobilizim i tillë forcash tërhoqi vëmendjen. Menjëherë, një turmë njerëzish kureshtarë u mblodh dhe asistoi në mbërritjen e shumë patrullave të karabinierëve dhe në arrestimin e keqbërësit.
Shtetasi shqiptar u arrestua dhe iu bë gjithashtu kontroll trupor, si për të vlerësuar nëse arratisja ishte diktuar nga mbajtja e mundshme e drogës, ashtu edhe për t'u siguruar që i riu nuk kishte armë me vete. Të dy kontrollimet dhanë rezultat negativ.