Përmbytjet në Indi: Të paktën 50 të vdekur, më shumë se 700,000 të zhvendosur
Përmbytjet në shtetin federal indian të Assamit kanë marrë të paktën 50 jetë njerëzish dhe kanë zhvendosur 700,000 njerëz pas ditëve të shirave të rrëmbyeshëm musonikë dhe daljes nga shtrati të lumit Brahmaputra, thanë sot autoritetet indiane.
Brahmaputra, i cili buron në rajonin e Tibetit të Kinës dhe rrjedh rreth 900 kilometra përmes Assamit, përmbyti fshatra, shkatërroi shtëpitë dhe detyroi gati 300,000 njerëz të strehoheshin në kampet qeveritare të ndihmës, raporton Associated Press.
Autoritetet kanë siguruar ushqim dhe ndihmë për viktimat e përmbytjeve, duke përfshirë transportimin ajror me helikopter, tha Kryeministri i Assamit, Himanta Biswa Sarma, duke shtuar se gati 900 fshatra janë përmbytur dhe më shumë se 7,000 shtëpi janë pa energji elektrike.
Përmbytjet shkaktuan probleme në pjesë të Guwahatit, kryeqytetit të Assamit me rreth dy milionë banorë, të enjten në mbrëmje, ndërsa rrugët e përmbytura i lanë udhëtarët të bllokuar për orë të tëra.Policia, ekipet e reagimit ndaj fatkeqësive dhe vullnetarët vendas po punojnë për të shpëtuar banorët e bllokuar dhe për të shpërndarë furnizime thelbësore në komunitetet e përmbytura, thanë zyrtarët.
Ekspertët thonë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po forcojnë musonet e Azisë Jugore, të cilat tradicionalisht zgjasin nga qershori deri në shtator dhe pastaj përsëri nga tetori deri në dhjetor.
Shirat, dikur të parashikueshëm, tani vijnë në shpërthime të çrregullta që derdhin sasi ekstreme uji në periudha të shkurtra, të ndjekura nga thatësira.