Haxhiu - ndërkombëtarëve: Kush nga ju do të lejonte gjyqtarë e prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se ish-gjyqtarët dhe prokurorët e komunitet serb të dorëhequr nuk mund të rikthehen në punë sepse nuk ua  lejon ligji, ndërsa ka theksuar se përgjatë mandateve të tyre ata kanë marrë direktiva nga Serbia. 

Ajo ka theksuar se asnjë shtet demokratik nuk do ta pranonte një situatë ku gjyqtarë e prokurorë të “dirigjohen” nga një shtet tjetër. Haxhiu u ka reaguar shteteve partnere që kanë kërkuar rikthimin e ish-gjyqtarëve e prokurorëve serbë duke u thënë se asnjë nuk do të vendoste për diçka që është në kundërshtim me ligjin.  

“Kush nga partnerë tanë ndërkombëtare që sot bëjnë presione mbi këshillat, kush nga ta do lejonte që në shtetet e tyre të kenë gjyqtarë dhe prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër. Kush nga partnerët ndërkombëtarë që ne na thërrasin gjithnjë për sundim të ligjit dhe pavarësi të sistemit të drejtësisë, do të kërkonte nga gjyqtarët dhe prokurorë që janë anëtarë të këshillave të vendoste diçka që është në kundërshtim me legjislacionin”, u shpreh ajo. 

Haxhiu ka ritheksuar se ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët serbë kanë dhënë dorëheqje pas presionit të Serbisë dhe presidentit të saj Aleksandër Vuçiq. 

Siç theksoi ajo tutje, këta akterë qysh prej vitit 2017 janë paguar nga Serbia. 

“Referuar të dhënave që kam ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët serbë dhe stafi kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë nga Serbia. Pjesa dërrmuese e tyre kanë pranuar dhe vazhdojnë të pranojnë mjete financiare në forma të ndryshme nga Serbia që nga viti 2017 deri tash.

Edhe gjatë kohës sa kanë qenë prokurorë dhe gjyqtarë janë paguar nga Serbia. Lojaliteti i dëshmuar për Serbinë është shpërblyer edhe me mjete financiare në kohës kur është pritur që ata të ushtrojnë mandatin në dobi të qytetarëve në interes të Republikës së Kosovës”. Haxhiu deklaroi se ka dëshmi se një pjesë nga ish-gjyqtarët e prokurorët kanë kryer aktivitete të tjera të paligjshme në shërbim të strukturave ilegale serbe në veri duke rënë ndesh me rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës. 

“Ka shumë raste ku ish-gjyqtarë dhe  prokurorë kanë marrë pjesë në takime në Serbi dhe Kosovë ku janë diskutuar plane dhe janë marrë veprime përfshirë bllokimin e rrugëve për të kundërshtuar institucionet e Kosovës. Për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia në shumë raste administrimi i drejtësisë ka dështuar në të kaluarën në veri. Ka dyshime të bazuar që ato veprime kanë qenë të qëllimshme dhe të instrukturuara nga qarqe të lidhura me krimin dhe pushtetin në Serbi”, ka thënë Haxhiu.