Kosovë/ Seanca konstituive mbahet më 6 gusht
Seanca konstitutive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 6 gusht në orën 10:00. Ka njoftuar ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, në konferencën për media të mbajtur të premten.
Seanca pritet të mbahet një ditë para skadimit të afatit kushtetues për mbajtjen e seancës, që është 7 gushti.
Haxhiu ka thënë se meqë afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit fillojnë të rrjedhin vetëm pas konstituimit të Kuvendit, ka vendosur që të mos e thërras me nguti seancën konstitutive, por të shfrytëzoj afatin që lejon Kushtetuta për t’ju krijuar partive politike hapësirën e nevojshme për dialog.
Ajo ka thënë se ka vlerësuar me kujdes çdo hap që është ndërmarrë javëve të fundit
“Kam mirëpritur ftesat për takime të kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, zotëri Albin Kurti, dhe kam ndjekur nga afër përpjekjet për të arritur një marrëveshje. Dhe siç e dini, deri tani janë mbajtur dy takime: një takim me PDK-në, një takim me LDK-në, ndërsa Aleanca nuk i është përgjigjur ftesës për takim. Duke qenë se ende nuk ekziston një dakordim politikanësh për çështjen e Presidentit, kam vendosur që, pra menjëherë pas certifikimit aso kohe, që të mos e thërras me nguti seancën konstitutive, por të shfrytëzoj afatin që lejon Kushtetuta për t’ju krijuar partive politike hapësirën e nevojshme për dialog dhe për ndërtimin e një konsensusi”, ka theksuar Haxhiu.
Deri më 7 gusht, deputetët e rinj kanë kohë për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit. E para kësaj date, zyrtarë të Lidhjes Demokratike kanë thënë se do ta mbajnë Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, ku do të votohet për shkarkimin ose jo të kryetarit Lumir Abdixhiku, i cili paralelisht iniciativës kundër tij, shprehu gatishmëri për marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, për konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e parakohshme të qershorit.