Vrasja e çiftit të të moshuarve në Dropull, Prokuroria kërkon 30 vite burg për autorin
Prokuroria e Gjirokastrës ka kërkuar dënimin me 30 vite burg për shtetasin Thoma Mastora, i akuzuar për vrasjen e çiftit të të moshuarve në fshatin Bodrishtë të Dropullit.
Në përfundim të hetimeve dhe shqyrtimit gjyqësor për procedimin penal nr. 240 të vitit 2024, organi i akuzës ka dalë në përfundimin se i pandehuri është fajtor për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.
Sipas Prokurorisë, Th.M. akuzohet për vrasjen e bashkëshortëve Kosta dhe Kleoniqi Ilia ngjarje e rëndë e ndodhur në fshatin Bodrishtë, në Dropull.
Në seancën përfundimtare, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër ka kërkuar shpalljen fajtor dhe dënimin e të pandehurit me 30 vite burgim.
Rifreskim i ngjarjes
Ngjarja ndodhi më 2 maj 2024 në fshatin Bodrishte, Bashkia Dropull, dhe tronditi gjithë vendin. Dy bashkëshortët e moshuar, Kosta Ilia, 84 vjeç, dhe Kleoniqi Ilia, 88 vjeçe, u gjetën të pajetë në banesën e tyre nga bashkëfshatarët. Kosta Ilia u gjet në oborrin e shtëpisë, ndërsa bashkëshortja brenda banesës, të dy me plagë në kokë dhe trup.
Fillimisht u dyshua për grabitje, por hetimet treguan se në banesë ndodheshin rreth 5 milionë lekë të reja, të cilat nuk ishin prekur.
Kjo bëri që policia ta përjashtonte motivin e vjedhjes. Pas disa ditësh hetime, policia arrestoi Thoma Mastoren, 69 vjeç, bashkëfshatar i viktimave. Sipas hetimeve, ai i kishte vrarë të moshuarit duke i goditur me sende të forta dhe prerëse. Policia deklaroi se motivi lidhej me konflikte të mëparshme dhe motive të dobëta, jo me grabitje. Gjatë kontrollit në banesën e Mastores u gjetën municion luftarak, një mjet prerës dhe prova të tjera. Ai rezultonte i dënuar më parë për vjedhje.
Njoftimi:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër, në përfundim të hetimeve dhe shqyrtimit gjyqësor kërkon 30 vite burg për shtetasin Th. M. i akuzuar për veprën penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal.
Hetimet mbi procedimin penal nr.240, të vitit 2024, arritën në përfundimin se i pandehuri Th.M., është fajtor dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër në paraqitjen e diskutimit përfundimtar kërkon dënimin e tij me 30 vite burgim për vrasjen e çiftit të të moshuarve K.I. dhe K.I., në fshatin Bodrishtë, Dropull.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.