Gjykata jep 'Ok' për hapjen e 3 telefonave 'Iphone' të zyrtareve të postës që vodhën 700 mln lekë
Nga Elton Qyno - Syri
Dy telefona “Iphone 17” dhe një telefon “Iphone 13”, janë sekuestruar nga prokuroria e Durrësit, me shpresën e zbardhjes së plotë të dinamikës së vjedhjeve të 700 milion lekëve të pensionistëve në degën e Postës Shqiptare në Durrës.
Gazetari Elton Qyno, ka mësuar se dy ditë më parë gjykata e Durrësit, miratoi kërkesën e prokurorisë, duke lejuar sekuestrimin e aparateve të telefonit zyrtareve të postës, Elisabeta Malaj, Paola Dana dhe Valbona Duni, të cilat tashmë janë proceduar për akuzën e “Vjedhjes duke Shpërdoruar detyrën”.
Tashmë gjykata ka autorizuar Policinë Gjyqësore, në prani të një eksperti kibernetik, për ekzaminimet kompjuterike duke lejuar prokurorinë të hyjë, të kërkojë, të marrë dhe të sekuestrojë të dhëna nga sistemet kompjuterike dhe/ose llogaritë përkatëse të përdoruesve, të lidhura me procedimin penal.
Konkretisht, kërkohen të dhëna të ruajtura në memorien e pajisjeve kompjuterike dhe/ose në llogaritë e përdoruesve (iCloud, rrjete sociale etj.), përfshirë por pa u kufizuar në: kontakte/profile, lista thirrjesh.
Përmes bisedave dhe materialeve të tjera që mund të gjenden në 3 aparatet telefonike, prokuroria shpreson të zbardhë të gjithë dinamikën e këtij krimi të rëndë, ku paratë e pensionistëve mereshin nga zyrtaret e postës së Durrësit.
Njëherësh përmes bisedave në telefon, synohet të zbulohen dhe persona të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me zyrtarë të tjerë të postës ose me persona jashtë institucionit.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga gazetari i Syrit, Elton Qyno, thuhet se në 14 korrik 2026 është depozituar kallëzim penal në prokurori nga “PostaShqiptare” sh.a.
Në kallëzim parashtrohet se, për shkak se Filiali i Postës Shqiptare Durrës nuk kishte vijuar me transferimin e fondeve në favor të llogarisë së Drejtorisë së Përgjithshme, duke krijuar diferenca negative në llogaritë kontabël të kësaj të fundit, me shkresën nr. 1502 prot, të datës 9 korrik 2026, ishte ngritur një grup pune për kryerjen e verifikimeve përkatëse.
Nga kontrolli i ushtruar nga grupi i punës në ambientet e Filialit Durrës, Zyra Qendër, rezultoi se gjatë verifikimit të gjendjes së arkës u konstatua se, përgjatë muajve Prill dhe Maj 2026, ishin prerë mandate pagesash nga arka qendrore në monedhën lekë, në favor të Degëve Postare Shijak dhe Krujë, duke u regjistruar veprimi kontabël me debit në llogarinë nr. 186, “Lidhje të brendshme me degët”, dhe me kredit në llogarinë nr. 531, “Arka në lekë”.
Sipas të dhënave të sistemit kontabël, këto mandate ishin pasqyruar në ditarin e arkës qendrore të Filialit Durrës, duke pakësuar gjendjen fizike të arkës në lekë.
Megjithatë, vlerat përkatëse nuk rezultonin të ishin regjistruar si hyrje në arkat e Degëve Postare Shijak dhe Krujë, siç kërkohej nga procedurat financiare, çka do të sillte rritjen e gjendjes fizike të parasë në këto degë.
Nga verifikimi i ditarëve analitikë të arkave të Degëve Postare Shijak dhe Krujë, rezultoi se këto shuma nuk ishin regjistruar si hyrje në arkat përkatëse, duke bërë që dalja e tyre nga arka qendrore e Filialit Durrës të mbetej e pajustifikuar.
Vlera e përgjithshme e kësaj diferencë rezultoi rreth 69.000.000 lekë të reja.
Gjithashtu, nga këqyrja e pamjeve filmike të administruara nga kamerat e sigurisë në ambientet e Filialit Durrës, Zyra Qendër, të bashkëlidhura kallëzimit, rezulton se lëvizjet e vlerave monetare janë kryer nga punonjësit në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi dhe me rregulloren e brendshme të “Posta Shqiptare”.
Nga analiza e të dhënave të administruara, organi kallëzues ka arritur në përfundimin se në Filialin Durrës, Zyra Qendër, janë kryer veprime me karakter abuziv, të cilat kanë sjellë mospërputhje të konsiderueshme financiare dhe kanë krijuar dyshime për konsumimin e veprave penale në fushën e administrimit të vlerave monetare.