Rezulton pozitiv në testin e drogës futbollisti që luajti 3 ndeshje në Botëror

Futbollisti australian Cristian Volpato është përfshirë në një skandal jashtë fushës, pasi ka rezultuar pozitiv në një test paraprak për kokainë pas një kontrolli policor në Sydney.

Mesfushori 22-vjeçar i Sassuolos u ndalua nga policia teksa po drejtonte një BMW me 109 km/h në një zonë ku kufiri i lejuar ishte 60 km/h.

Pas ndalimit, ai iu nënshtrua një testi të shpejtë për drogë, i cili rezultoi pozitiv për kokainë.

Megjithatë, çështja nuk është mbyllur ende. Autoritetet kanë marrë një mostër të dytë të pështymës, e cila është dërguar për analiza laboratorike.

Deri në publikimin e rezultateve përfundimtare, ndaj Volpatos nuk është ngritur asnjë akuzë penale për përdorim të lëndëve narkotike.

Për shkeljet në trafik, futbollisti është gjobitur dhe i është pezulluar leja ndërkombëtare e drejtimit për gjashtë muaj në shtetin australian të New South Wales.

Policia bëri të ditur gjithashtu se ai ishte ndaluar edhe pak orë më herët për tejkalim shpejtësie, ndërsa testi i alkoolit kishte rezultuar negativ.

Volpato, i lindur në Sydney, kishte përfaqësuar më parë Italinë në ekipet e moshave, por pak para Kupës së Botës 2026 vendosi të luante për Australinë.

Ai regjistroi tre paraqitje me kombëtaren australiane në Botëror.

Në nivel klubesh, 22-vjeçari aktivizohet me Sassuolon në Serie A, ndërsa më parë ka qenë pjesë e Romës, ku debutoi në elitën e futbollit italian.