SHBA vendos tarifa të reja doganore ndaj 60 partnerëve tregtarë për të ndaluar punën e detyruar

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tarifa të reja doganore ndaj 60 partnerëve tregtarë, të cilët përbëjnë pjesën dërrmuese të importeve amerikane, me arsyetimin se nuk kanë ndërmarrë masa të mjaftueshme për të ndaluar punën e detyruar.

Tarifat, që variojnë nga 10% deri në 12.5%, prekin partnerë të rëndësishëm ekonomikë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Bashkimin Europian, Kanadanë, Japoninë dhe Indinë. Ato hynë në fuqi të premten,(sot) pasi skadoi taksa e përkohshme prej 10% mbi mallrat e huaja, e vendosur më herët gjatë këtij viti.

Ky është përshkallëzimi më i fundit i luftës globale tregtare, e cila u ringjall nga presidenti amerikan Donald Trump pas rikthimit të tij në detyrë vitin e kaluar.

Gjykata Supreme e SHBA-së vendosi më herët këtë vit se shumë prej tarifave të vendosura në nivel global, përmes kompetencave emergjente, ishin miratuar në mënyrë të paligjshme.

Që atëherë, presidenti ka kërkuar mënyra të tjera për të çuar përpara politikën e tij kryesore tregtare.

Muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë propozoi tarifa nga 10% deri në 12.5% për importet nga dhjetëra vende, duke argumentuar se ato nuk po bënin mjaftueshëm për të luftuar punën e detyruar.

Të enjten, Përfaqësuesi Amerikan për Tregtinë, Jamieson Greer, duke vepruar me udhëzim të Trump, njoftoi se këto tarifa do të hynin në fuqi.

“Veprimi i sotëm do të nisë korrigjimin e asaj që përbën njëkohësisht një abuzim me të drejtat e njeriut dhe një praktikë tregtare shtrembëruese, me qëllim përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve kudo në botë”, thuhet në deklaratën e tij.

Greer iu referua Nenit 301 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, i cili rregullon masat e SHBA-së kundër praktikave tregtare që dëmtojnë ose kufizojnë tregtinë amerikane.

Më herët gjatë kësaj jave, administrata Trump përdori një dispozitë tjetër ligjore, Nenin 338 të Aktit Tarifor të vitit 1930, për të vendosur tarifa prej 50% ndaj produkteve që importohen nga Kanadaja.

Të enjten, Zyra e Përfaqësuesit Amerikan për Tregtinë deklaroi se tarifat më të fundit po vendosen ndaj partnerëve tregtarë “për dështimin e tyre për të vendosur dhe zbatuar në mënyrë efektive ndalimin e importit të mallrave të prodhuara me punë të detyruar”.

Sipas kësaj zyre, tarifat e reja zbatohen ndaj 60 partnerëve kryesorë tregtarë të SHBA-së, të cilët përbëjnë 99.4% të importeve amerikane.

Zyra theksoi se Trump e ka bërë miratimin e ndalimit të importeve të prodhuara me punë të detyruar një pjesë “kritike” të marrëveshjeve tregtare reciproke me vendet e tjera.

Sipas saj, deri më tani 10 partnerë tregtarë kanë rënë dakord të vendosin një ndalim të tillë në kuadër të këtyre marrëveshjeve, ndërsa vende të tjera kanë miratuar masa të ngjashme pas hetimeve të zhvilluara javët e fundit.

Partnerët tregtarë që kanë “marrë angazhime për të miratuar dhe zbatuar në mënyrë efektive” ndalimin e importeve të prodhuara me punë të detyruar do t’i nënshtrohen një tarife prej 10%, ndërsa ata që nuk kanë ndërmarrë këto angazhime do të përballen me tarifën më të lartë prej 12.5%.

Greer tha se ishte “i inkurajuar nga partnerët tregtarë që kanë vepruar me shpejtësi për të miratuar ndalimin e importeve të lidhura me punën e detyruar” dhe shtoi se pret që këto masa të zbatohen në mënyrë efektive.

Tarifat e reja tregojnë se administrata Trump është “e vendosur” të vazhdojë strategjinë e saj tarifore, tha ekspertja e politikave tregtare Deborah Elms nga Fondacioni Hinrich.

Sipas saj, vendet e goditura nga tarifat do ta kenë të vështirë të provojnë se kanë masa të mjaftueshme për të parandaluar importet e lidhura me punën e detyruar.

Tarifat pritet të rrisin kostot për bizneset dhe konsumatorët, megjithëse ndikimi mund të zbutet për shkak të numrit të madh të mallrave të përjashtuara, tha Wendy Cutler, eksperte për sigurinë ekonomike në Institutin e Politikave të Shoqërisë Aziatike.

Shumica e partnerëve tregtarë do të zhgënjehen nga tarifat e reja dhe ka gjasa të përqendrohen në mënyra për të “ulur varësinë nga tregu amerikan”, duke zgjeruar marrëdhëniet tregtare me vende të tjera, shtoi Cutler.

Si kanë reaguar vendet e tjera?

Disa shtete kanë reaguar ndaj njoftimit, mes tyre edhe Brazili. Qeveria braziliane e cilësoi masën si “të pajustifikuar” dhe “arbitrare”.

Në një deklaratë zyrtare, Brazili akuzoi Uashingtonin se po “manipulon një çështje me rëndësi të madhe për të drejtat e punëtorëve” për të mbështetur politikën e tij proteksioniste tregtare.

Brazili, i cili është goditur me një tarifë të re prej 12.5%, paralajmëroi se do të përgjigjet me masa në bazë të “ligjit të reciprocitetit” dhe do të shqyrtojë zgjerimin e marrëdhënieve me partnerë të tjerë tregtarë.

Më herët këtë muaj, SHBA vendosi gjithashtu një tarifë të veçantë prej 25% për mobiliet, makineritë, sheqerin dhe importe të tjera nga Brazili, ndërsa përjashtoi disa produkte si mishi i viçit dhe kafja.

Qeveria japoneze deklaroi të premten se “shpreh keqardhje” për tarifat e reja amerikane, duke theksuar se tregtia e saj zhvillohet në përputhje me rregullat ndërkombëtare.

Ministri australian i Tregtisë, Don Farrell, i quajti tarifat “plotësisht të pajustifikuara” dhe tha se do të vazhdojë të kërkojë nga Uashingtoni heqjen e të gjitha tarifave ndaj mallrave australiane.

Kina ka deklaruar më herët se kundërshton çdo formë të tarifave të njëanshme dhe ka mohuar akuzat për përdorimin e punës së detyruar.

“Nuk ekziston e ashtuquajtura punë e detyruar në Kinë dhe ne kundërshtojmë përdorimin e kësaj çështjeje si justifikim për manipulim politik”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning.

Megjithatë, disa organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë raportuar se praktika të punës së detyruar ekzistojnë në Kinë, veçanërisht ndaj pakicave etnike myslimane në rajonin e Xinjiangut.

Politika simbol e Trump

Donald Trump ka argumentuar prej kohësh se tarifat mbrojnë punëtorët amerikanë dhe forcojnë ekonominë e SHBA-së.

Në prill të vitit 2025, ai vendosi tarifa deri në 50% ndaj partnerëve tregtarë në mbarë botën, në atë që e quajti “Dita e Çlirimit”, me synimin për të korrigjuar atë që e konsideronte trajtim të padrejtë ndaj Shteteve të Bashkuara.

Në shkurt, Gjykata Supreme e SHBA-së i rrëzoi këto tarifa, duke vendosur se presidenti kishte tejkaluar kompetencat e tij, çka detyroi qeverinë të kthejë dhjetëra miliarda dollarë.

Që atëherë, Shtëpia e Bardhë ka kërkuar mënyra alternative për vendosjen e tarifave të importit, përfshirë një tarifë të përgjithshme prej 10%, e cila ishte pjesë e një zgjidhjeje të përkohshme që skadoi të premten.

Uashingtoni ka vendosur gjithashtu tarifa të tjera ndaj vendeve si Brazili dhe Kanadaja.

Ndërkohë, SHBA dhe Kina kanë qenë të përfshira në një luftë tarifore me masa dhe kundërmasa, e cila aktualisht është pezulluar.

Trump i ka përdorur tarifat edhe si mjet presioni ndaj vendeve të tjera për çështje jashtë tregtisë, siç është rasti i Meksikës.

Administrata amerikane mund të vendosë tarifa të tjera në të ardhmen, pasi aktualisht po heton 16 vende – që përbëjnë pjesën më të madhe të importeve amerikane – lidhur me pretendimet për kapacitete të tepërta prodhuese dhe praktika që mund të dëmtojnë industrinë amerikane. /BBC/