'Hyri në shtëpi me armë gjahu..' Detaje të reja nga krimi i rëndë në Roskovec! Çfarë thonë dëshmitarët dhe prishja e fejesës
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mëngjesin e sotëm fshatin Vidisht, në Bashkinë Roskovec. Sipas informacioneve paraprake nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe dëshmive të banorëve të zonës, shtetasi Refik Buzi dyshohet se ka hyrë i armatosur me një armë gjahu (çifte) në banesën e familjes së ish-të fejuarës së tij.
Sipas të dhënave paraprake, ai ka qëlluar për vdekje ish-vjehrrin Kosta Plaka 58 vjeçar i cili ka humbur jetën në vendngjarje. Më pas, autori i dyshuar ka qëlluar edhe ish-vjehrrën Beleren 55 vjeçare e cila ka mbetur e plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal Fier, ku po merr ndihmën mjekësore.
Pas ngjarjes, autori dyshohet se ka marrë me vete ish-të fejuarën Rozalindën, me të cilën kishin qenë mbi 6 vjet të fejuar dhe është larguar në drejtim të paditur. Deri tani ai nuk është lokalizuar, ndërsa policia ka ngritur pika kontrolli dhe vijon kërkimet për kapjen e tij.
Sipas banorëve të zonës, Refik Buzi dhe e reja kishin qenë të fejuar, por marrëdhënia e tyre ishte ndërprerë kohë më parë. Dyshohet se motivi i krimit lidhet me konfliktet e krijuara pas prishjes së fejesës, megjithëse hetimet janë ende në fazën paraprake.
Forca të shumta policie, grupi hetimor dhe ekspertët e kriminalistikës kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa pritet një njoftim zyrtar me detaje të mëtejshme nga Policia e Fierit.