Përmbytje vdekjeprurëse në Virxhinian Perëndimore/ Dy viktima, dëme të mëdha dhe zona të tëra pa energji elektrike

Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të menjëhershme të shkaktuara nga reshjet e rrëmbyeshme në shtetin amerikan të Virxhinias Perëndimore, njoftoi zyra e guvernatorit.

Këto janë viktimat e para të konfirmuara nga stuhitë që goditën zonën të martën. Sipas meteorologëve, në disa rajone ranë deri në 18 centimetra reshje, ndërsa guvernatori bëri të ditur se në një zonë u regjistruan 11.4 centimetra shi në vetëm 37 minuta, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme.

Autoritetet në pjesën veri-qendrore të Virxhinias Perëndimore e kanë cilësuar situatën si shumë të rëndë, me dëme të konsiderueshme në infrastrukturë dhe prona.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë automjete të përmbytura në parkingje, ndërsa uji me baltë depërtoi edhe në ambientet e një supermarketi Walmart në qytetin Weston.

Përmbytjet kanë lënë gjithashtu disa zona të bllokuara dhe pa energji elektrike, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë operacionet për vlerësimin e dëmeve dhe ndihmën ndaj banorëve të prekur.