Prenga sfidon Joshuan: Kam pritur gjithë jetën për këtë moment, do ta mposht me nokaut!

Boksieri shqiptar, Kristian Prenga, ka dhënë një mesazh plot besim vetëm pak ditë para duelit të madh me ish-kampionin e botës në peshat e rënda, Anthony Joshua. Për Prengën, kjo është ndeshja më e rëndësishme e karrierës, një mundësi për t’u prezantuar para gjithë botës.

Edhe pse ka regjistruar 20 fitore me nokaut në karrierë, shqiptari nuk ka garuar më parë në nivelin e Joshua-s. Megjithatë, ai është i bindur se është gati për sfidën më të madhe.

“Kam punuar gjithë jetën për këtë moment. Kam pritur gjithë jetën për këtë rast dhe shpresoj t’i tregoj botës të shtunën se kush jam”, deklaroi Prenga.

Boksieri shqiptar tregoi respekt maksimal për rivalin anglez, duke pranuar se është rritur duke ndjekur ndeshjet e Joshua-s. Megjithatë, ai beson se ka identifikuar pikat e forta dhe dobësitë e kundërshtarit.

“Kam shumë respekt për Anthony Joshua-n. Jam rritur duke parë të gjitha ndeshjet e tij. Kam parë dobësitë e tij, kam parë se çfarë bën më mirë dhe do të tregoj në ring gjithçka që kam studiuar”, u shpreh ai.

Kur u pyet se si mendon se do të përfundojë përballja, Prenga dha një përgjigje të shkurtër dhe të prerë: “Nokaut.”

Dueli mes Anthony Joshua-s dhe Kristian Prengës do të zhvillohet më 25 korrik në Geddah të Arabisë Saudite dhe shërben si ndeshje përgatitore për Joshua-n përpara përballjes së shumëpritur me Tyson Fury. Për Prengën, kjo është një mundësi historike për të realizuar surprizën më të madhe të karrierës.