VIDEO/ Boçi: Reforma territoriale u zvarrit qëllimisht, u përjashtua opinioni i qytetarëve të Tiranës
Deputeti i Partisë Demokratike dhe bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, ka hedhur akuza ndaj mazhorancës për mënyrën se si është zhvilluar procesi i dëgjesave dhe përgatitja e raportit për reformën e re territoriale.
I ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, Boçi deklaroi se gjatë dëgjesave nuk është respektuar zëri i plotë i qytetarëve, ndërsa sipas tij, përfaqësues politikë të mazhorancës kanë tentuar të ruajnë territoret ku kanë interes politik.
Sipas tij, shumë bashki kanë kërkuar të vijojnë ekzistencën e tyre pavarësisht ndryshimeve që mund të sjellë reforma territoriale. Boçi akuzoi mazhorancën se ka shtyrë qëllimisht dëgjesat, veçanërisht ato për Tiranën dhe Korçën.
Deputeti demokrat tha se banorë të disa zonave të Bashkisë së Tiranës, përfshirë Zall-Herrin, Zall-Bastarin dhe Kasharin, kishin kërkuar të shprehnin qëndrimet e tyre për mënyrën se si funksionon pushteti vendor dhe shërbimet ndaj qytetarëve. Sipas Boçit, përjashtimi i këtyre dëgjesave solli një ndërhyrje jashtë procedurës së zakonshme parlamentare.
‘Ajo që u vërejt në dëgjesa nuk ishte thjesht vetëm përfaqësuesi i publikut. Përfaqësuesit politikë të tyre të majtë kërkonin që të ruanin territoret e tyre. Njerëz që punonin në administratë, njerëz drejtues bashkish, njerëz politikë të rëndësishëm, se ata i sillnin, dëgjo, ata bënë balancën në dëgjesë, ndërkohë që të shëduan mënyrën si transmetohej opinioni i tyre.
Ata kërkonin që Poliçani të qëndrojë, Skrapari të qëndrojë, Memaliaj të qëndrojë, pavarësisht se drejtohet nga një i djathtë, po, nga Partia Demokratike. Libohova të qëndrojë, Këlcyra të qëndrojë, Kolonja të qëndrojë. Dhe Prrenjasi të qëndrojë.
Pra, këto u gjendën përballë një të papriture shumë të madhe dhe menjëherë krijuan një, domethënë, një kazus për ta mbyllur. Dhe si erdhi në kohë, e zgjatën, e zvarritën kohën qëllimisht. Me Tiranën, me Korçën e kemi shtyrë nja shtatë herë.
Se e kam thënë edhe sot në konferencën e kryetarëve, se duhet të ishte Niko Peleshi në dëgjesë, e shtynte Mazniku. Tirana për arsye se nuk vjen Ristani, duhet Veliaj, do bëjmë kërkesë. Ai vetë do bënte kërkesë që të ishte Veliaj dhe u harxhuan dy muajt e fundit vetëm me këtë fabul.
Pa dëgjesë një e treta e popullsisë. Të paktën qark, se kishte kërkesë nga Zall-Herri, Zall-Bastari, nga zona të tjera të Bashkisë së Tiranës, Kashari, që donin të shprehnin pikëpamjen e tyre në raport me mënyrën si shërbehet kryeqyteti dhe si e perceptonin ata pushtetin lokal si shërbim ndaj tyre.
Dhe kjo gjë pastaj, domethënë, bëri që të kemi një ndërhyrje ekstra komision. Këtu dalim te paligjshmëria pastaj. Dhe mënyra si funksionon parlamenti. Parlamenti ka seancën, ka dhe komisionet. Seanca merret me produktin e komisionit. Pra çdo ligj, i vogël, i madh, miratohet, diskutohet në një komision, madje shoqërohet me një relacion dhe e firmos kryetari i komisionit.
Unë jam kryetar i Komisionit të Arsimit, nuk mundet asnjë projektligj të shqyrtohet në seancë pa firmën time. Unë e kam detyrim ligjor sigurisht, kur përfundon dëgjesa, paraqitja, oponenca, lexohet relacioni dhe... Dhe e kam thënë, dhe në kioskën më të humbur të Shqipërisë, mall pa faturë nuk mund të marrësh.
Vjen, shoqërohet me një faturë dhe produkti i një komisioni vjen me një relacion i firmosur nga kryetari. Në këtë rast janë dy bashkëkryetarë, unë dhe zoti Mazniku. Por mbledhja e komisionit u mbyll pa një relatimi, pa një raport që këta e quajtën final, përfundimtar, për një punë të papërfunduar.
Sepse në mbledhjen e fundit nuk u ra dakord, për shkak edhe të paritetit se jemi 8 me 8, për rendin e ditës. Sepse kërkonin ta quanim raport final një raport i cili nuk kishte respektuar të gjithë fazat. Ishte dëgjesa e Tiranës, dëgjesat tematike që janë shumë të rëndësishme, me institucionet, me grupet e interesit, me shoqërinë civile, dëgjesat me publikun.’, tha Luçiano Boçi ndër të tjera në SYRI TV.