Ekzekutohet brenda bashkisë kryebashkiaku në Meksikë, autorët hapën zjarr në zyrë
Kryebashkiaku i Temoacit në shtetin Morelos të Meksikës, Valentin Lavigne, është vrarë nga persona të armatosur që hynë në godinën e bashkisë dhe hapën zjarr ndaj tij. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet shtetërore, të cilat kanë nisur një hetim për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas mediave lokale, Lavigne kishte qenë objekt i një atentati edhe në janar të këtij viti, por kishte arritur t’i shpëtonte sulmit. Deri më tani nuk ka informacione zyrtare mbi motivet e vrasjes apo identitetin e autorëve.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te klima e pasigurisë që përjetojnë zyrtarët vendorë në Meksikë, veçanërisht në shtetin Morelos, ku aktiviteti i grupeve kriminale dhe i trafikut të drogës ka prodhuar prej vitesh nivele të larta dhune. Që nga viti 2006, dhjetëra politikanë dhe funksionarë lokalë janë bërë objekt sulmesh vdekjeprurëse në vend.