Pas shoqërimeve në komisariat, protestuesit rikthehen në shesh/ I riu: Kjo është beteja për Shqipërinë e lirë

Shumë nga protestuesit që sot u shoqëruan në komisariat pas përplasjes me policinë para Parlamentit, pas lirimit iu bashkuan sërish protestës në sheshin para Kryeministrisë.

Një prej tyre, në fjalën e mbajtur para qytetarëve, në ditën e 54-t të revoltës qytetare  u shpreh se rikthimi i tyre në protestë është një mesazh se frika nuk mund të mposhtë zërin e qytetarëve dhe se bashkimi i njerëzve është forca më e madhe përballë pushtetit.

I riu deklaroi se protesta ka sjellë një ndryshim te qytetarët, duke e cilësuar “buzëqeshjen” dhe dashurinë për lirinë si simbol të këtij bashkimi. Sipas tij, pas shumë vitesh njerëzit po rikthejnë besimin te njëri-tjetri dhe po krijojnë një frymë të re qytetare.

Në fjalimin e tij, ai kritikoi mazhorancën socialiste, duke thënë se qytetarët i bashkon dashuria për lirinë, ndërsa pushtetin e bashkon interesi politik. Ai theksoi se protesta do të vijojë dhe paralajmëroi një përballje më të fortë politike në muajt e ardhshëm.

‘Pyetja më e pranishme pasi dola ishte: “Pse po buzëqeshje?” A e dini pse? Sepse ky shesh i solli buzëqeshje këtij vendi pas 34 vitesh!

Edhe ne mund të pranojmë që ata të na marrin gjithçka. Ama kurrë nuk do ta marrin buzëqeshjen!

Ta dini diçka: nuk ka njerëz që e duan më shumë njëri-tjetrin se ju në këtë shesh. Ashtu siç nuk ka njerëz që e urrejnë më shumë njëri-tjetrin se 83 deputetët e Partisë Socialiste.

A e dini pse? Sepse ne na bashkon dashuria për lirinë. Kurse ata i bashkon interesi momental.

Ne do të jemi çdo ditë para këtij pushteti, të buzëqeshur, sepse kjo është gjëja më e bukur që i ka ndodhur Shqipërisë. Kjo protestë i ka ngjallur Shqipërisë shpresën. Kjo protestë ka bërë që njerëzit të fitojnë besimin te njëri-tjetri. Kjo protestë ka bërë që njerëzit më në fund ta duan njëri-tjetrin.

Dhe pikërisht me dashurinë që kemi për njëri-tjetrin dhe për Shqipërinë, do t’i mundim këta politikanë maskarenj!

E kujtoj fare mirë se si, para gati dy muajsh, të gjithë njerëzit ishin të zymtë. Po të dilje në rrugë, dukej sikur ishin armiq me të gjithë botën. Secili dukej se kishte një mijë e një halle.

Ama sot kjo gjë ka ndryshuar. Secili thotë: më fal, thotë: të lutem, thotë: faleminderit. Sepse kjo buzëqeshje e ka bërë qytetarin shqiptar ndryshe. Dhe pikërisht ne e kemi parë njëri-tjetrin ndryshe. E kemi parë Shqipërinë ndryshe. E kemi parë diasporën ndryshe. E kemi parë politikën ndryshe.

Edhe do ta bëjmë politikën ndryshe!

E kam thënë që në fillim të këtij fjalimi: politikën do ta bëjmë me dashuri për njëri-tjetrin dhe me buzëqeshje.

Tani do t’ju them edhe një lajm që të buzëqeshni përsëri. Edhe çunat e tjerë, edhe Tritani, edhe Meçani, u liruan!

Ju betohem që nuk e dija se Meçanin e kisha këtu. Kështu që nuk po vazhdoj më, por po ia jap fjalën.

Buzëqeshni, duajeni Shqipërinë, duajeni njëri-tjetrin dhe së bashku do ta ndërtojmë Shqipërinë e re, të lirë!- theksoi ai