‘Sot pashë vdekjen e demokracisë’/ Protestuesi: Terroristët nuk ishin jashtë, por brenda Parlamentit
Një i ri protestues mbajti një fjalim të fortë gjatë protestës së 54-t radhazi kundër kryeministrit Edi Rama, duke akuzuar qeverinë për dhunë ndaj qytetarëve dhe shkelje të parimeve demokratike.
Ai deklaroi se ngjarjet e ditës përfaqësonin, sipas tij, ‘vdekjen e demokracisë’ në Shqipëri.
Mes thirrjeve për dorëheqjen e Edi Ramës dhe largimin e qeverisë, i riu u bëri apel qytetarëve të bashkohen në protestë, duke theksuar se kërkesat e protestuesve janë legjitime dhe se vendi ka nevojë për një ndryshim të thellë politik.
I riu: Vdekjen e pjesshme të demokracisë. Kam parë akte të papërshkrueshme, dhunë të paprecedentë ndaj protestuesve paqësorë. Sot kam parë vdekjen e demokracisë në Shqipëri!
Shqipëria ka nevojë për ndihmë, sepse sot kam parë kriminelë. Po kriminelët unë nuk i pashë me maska dhe me doreza, po i pashë me kostume dhe kollare që hipnin aty në karriget e parlamentit. Pashë kriminelë të cilët urdhëruan policinë të na hidhnin spraj me piper, të na godisnin e të na hidhnin ujë kur ne ishim mbledhur paqësisht. Pashë policinë që kishte vendosur një perimetër sigurie sikur të ishim terroristë, por terroristët ishin brenda në parlament!
Krimi tashmë është bërë si një tumor, njësh me shtetin. Dhe është koha që Shqipëria të ndërhyjë dhe të bëjë një ndërhyrje kirurgjikale për ta shporrur këtë tumor njëherë e përgjithmonë! Është koha që krimi mos të jetë më me qeverinë. Është koha që qeveria t'i përkasë qytetarit të thjeshtë dhe të mbrojë qytetarin e thjeshtë. Jo ta godasi atë, jo ta spërkasi atë me piper, jo ta spërkasi atë me ujë, por ta dëgjojë. Ta dëgjojë mirë, sepse kërkesat tona nuk kanë qenë asnjë gjë përveçse kërkesa jetike, legjitime. Dhe ky parlament, ky pushtet na ka trajtuar ne si terroristë. Por terroristët janë në parlament!
Sepse qeveria tashmë është bërë një me krimin. Dhe prandaj ne kur jemi në shesh brohorasim: Qeveri e krimit! Qeveri e krimit!
Kjo qeveri na ka marrë shpirtin majtas-djathtas, na ka dhunuar. Por ne nuk kemi për ta duruar më këtë dhunë. Keni arrestuar gazetarë. Keni arrestuar fëmijë, njerëz në moshë, keni dëmtuar dhe vrarë pensionistë, njerëz rastësorë, njerëz me aftësi ndryshe. Ju... ju jeni të pashpirt. Ju jeni të pabesë, pa shtyllë kurrizore, zvarranikë! Që bëni sikur votoni për ne, po ju jeni vetëm zvarranikë. Ky parlament nuk është më legjitim dhe nuk na përfaqëson më. Ndaj, t'ju themi dhe një herë këtu, me zërin më të lartë që mundemi: Nuk na përfaqësoni!
Shqiptarë... është koha. Është koha që të zgjoheni. Është koha të reflektoni mbi veprimet tuaja. Është koha të shikoni dhunën që po ushtrohet ndaj shqiptarëve. Është koha që ne të bashkohemi dhe të gjithë që na dëgjojnë: Ejani në protestë...