Studenti shqiptar dënohet me 20 muaj burg në Britani, u kap duke u kujdesur një fermë kanabisi me vlerë 88 mijë paund

Një student shqiptar universiteti, i cili kishte hyrë në Britaninë e Madhe me vizë turistike, është dënuar me 20 muaj burg pasi u kap duke kultivuar kanabis në një fermë të madhe në verilindje të Anglisë.

Musa Qaushi, 20 vjeç, u arrestua pasi policia zbuloi një fermë kanabisi në një banesë në Ivanhoe Crescent, Sunderland, ku u gjetën 351 bimë kanabisi të shpërndara në katër dhoma kultivimi. Në një dhomë të pestë, efektivët gjetën edhe sasi kanabisi që po thahej.

Sipas gjykatës, droga e sekuestruar kishte një vlerë të përllogaritur deri në 88,500 paund. Prokuroria deklaroi se Qaushi kishte rolin e “kopshtarit rezident”, duke u kujdesur për bimët dhe ambientet e kultivimit në këmbim të pagesës dhe strehimit.

Në seancën në Gjykatën e Kurorës në Newcastle, gjyqtari Edward Bindloss tha se Qaushi kishte një rol të rëndësishëm në funksionimin e fermës.

“Ti po kultivoje kanabisin duke luajtur rolin e kopshtarit rezident. Po paguheshe për këtë rol dhe të jepej edhe akomodimi”, u shpreh gjyqtari.

Gjykata mësoi se Qaushi është student në një universitet në Tiranë dhe është në vitin e dytë të një programi pesëvjeçar studimi. Ai nuk kishte precedentë penalë dhe, sipas mbrojtjes, kishte qenë vetëm disa ditë në fermën e kanabisit.

Avokatja e tij, Mairi Clancy, tha se klienti i saj ishte penduar dhe emocionalisht i prekur nga situata.

“Ai më kërkoi t’i them gjykatës se i vjen keq. Siç mund ta shihni, ai është shumë emocional për faktin që ndodhet sot përpara gjykatës”, deklaroi avokatja.

Megjithatë, gjyqtari nuk pranoi argumentin se ai kishte qenë thjesht naiv. Sipas tij, përmasat e operacionit tregonin se Qaushi ishte në dijeni të aktivitetit ku ishte përfshirë.

“Ky ishte një operacion në shkallë të gjerë që përfshinte pesë dhoma. Ti e dije përmasën e këtij operacioni”, tha gjyqtari.

Ai shtoi se këto lloj aktivitetesh nuk mund të funksionojnë pa persona që kujdesen për kultivimin e bimëve dhe se ky ishte pikërisht roli i Qaushit, edhe pse ai mund të mos kishte pasur ndikim mbi personat e tjerë të përfshirë.

Pas dënimit me 20 muaj burg, gjyqtari deklaroi se priste që autoritetet britanike të ndërmerrnin procedurat për dëbimin e tij si person i dënuar për vepër penale.