SYRI TV/ Policia sjellje të paprecedentë dhe të dhunshme, qytetarët arrestohen në mënyrë të paligjshme

Forcat e policisë kanë vazhduar sjelljen e tyre të paprecedentë dhe të dhunshme ndaj qytetarëve, në mbrojtje të makinave të ministrave dhe deputetëve socialistë. Disa qytetarë janë arrestuar dhunshëm, duke i marrë zvarrë, pasi hodhën me vezë dhe domate makinën e ministrit Gonxhe. Ndërkohë, policia ka vazhduar sjelljen e saj të paprecedentë, duke sulmuar në mënyrë brutale qytetarët që vazhduan të protestonin paqësisht pas përfundimit të seancës plenare.

Këto janë pamjet ekskluzive të siguruara nga Syri Tv, kur një grup protestuesish kanë qëlluar me vezë dhe domate makinën e ministrit Blendi Gonxhe, në shenjë revolte pas përfundimit të seancës plenare. Protestuesit kanë rrethuar makinën e Gonxhes dhe e kanë ndjekur nga pas për disa momente.

Kaq do të mjaftonte që dhjetëra efektivë policie, që sot mesa duket detyrë kanë pasur mbrojtjen e automjeteve të ministrave dhe deputetëve socialistë, të sulmonin menjëherë qytetarët dhe t’i arrestonin ata në mënyrë të dhunshme.

Disa momente pas përfundimit të seancës plenare dhe largimit të të gjithë përfaqësuesve qeveritarë, forcat “Shqiponja” dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë morën urdhër për t’u larguar. Teksa largonin barrierat e hekurit përreth Parlamentit, ata kanë sulmuar në mënyrë të befasishme dhe të paqartë protestuesit që po vazhdonin të qëndronin paqësisht aty.

Syri Tv ka siguruar një tjetër moment ku disa efektivë kanë shtyrë në mënyrë të dhunshme një qytetare, e cila thjesht po filmonte.

Ndërkohë, një tjetër dëshmi e sjelljes së paprecedentë të policisë ka qenë momenti i arrestimit të një prej koordinatorëve të protestës, Edison Lika, i cili në momentin e arrestimit ishte duke dhënë një intervistë për mediat.

Forcat Shqiponja kanë vazhduar dhunën e tyre të paprecedentë, teksa në pamjet e siguruara nga Syri Tv tregohet momenti kur kanë shtrirë përtokë dhe kanë arrestuar, buzë lumit Lana, disa vajza të reja.