Produktet vegane që zëvendësojnë mishin dhe qumështin kanë më shumë përbërës të shtuar

Versionet vegjetariane dhe vegane të produkteve të qumështit dhe mishit kanë marrë gjithnjë e më shumë vëmendje në raftet e dyqaneve vitet e fundit, shpesh duke u etiketuar si më miqësore me mjedisin dhe më të shëndetshme sesa homologët e tyre me prejardhje shtazore.

Por për ata që menaxhimi i dietës së tyre përfshin shqyrtimin e etiketave për numrat E që mund të jenë sinjale paralajmëruese, ekziston një problem: variantet me bazë bimore mund të përmbajnë dy herë më shumë aditivë sesa një produkt homolog me bazë shtazore, sipas një analize “të parës së këtij lloji” të 71 produkteve ushqimore, të kryer nga nutricionistë britanikë.

Në një artikull të botuar së fundmi nga revista Food Additives & Contaminants: Part A, studiuesit thanë se diferenca ishte më e madhe te produktet e qumështit dhe mishit, ku disa alternativa djathi me bazë bimore shfaqnin “një përdorim të lartë të” aditivëve si E160a dhe karotenoideve “për të imituar ngjyrën natyrale të verdhë të djathit të qumështit”.

“Interesante ishte se kishte gjithashtu një përdorim të lartë të E170: karbonatit të kalciumit në alternativat e produkteve të qumështit”, shtuan studiuesit, duke shpjeguar se qëllimi ishte imitimi i pamjes së bardhë ose kremoze të produkteve të qumështit dhe përputhja me sasinë e kalciumit që ofron qumështi i vërtetë.

“Personat që ndjekin një dietë me bazë bimore duhet të përqendrohen te ushqimet e plota që janë natyrshëm me bazë bimore, në vend që të përpiqen të kopjojnë ushqimet me bazë shtazore”, këshilloi Joseph Whitaker nga Instituti për Ushqyerje Optimale.

“Për shkak të domosdoshmërisë, shumë ushqime alternative me bazë bimore përdorin aditivë ushqimorë dhe përbërës të rafinuar, pasi ushqime si mishi me bazë bimore nuk ekzistojnë në natyrë”, shpjegoi Whitaker.

Ekipi tha se gjatë kryerjes së krahasimeve synonte të gjente “përputhjen më të afërt të mundshme” midis produkteve bimore dhe atyre shtazore.

“Pra, për shembull, qumështi i bajames u krahasua me qumështin normal, kekët veganë me kekët me bazë qumështi, dhe mishi me bazë bimore me mishin e zakonshëm”, shpjegoi botuesi Taylor & Francis, duke renditur lazanjat, sallatën me lakër, peston, majonezën, kosin dhe tortën ndër gamën e produkteve të vlerësuara.

Megjithatë, gjetjet nuk nënkuptojnë se produktet me bazë shtazore ishin pa aditivë, pasi numri i përgjithshëm i përbërësve artificialë në të gjithë gamën e produkteve me bazë bimore arriti në 1.566, krahasuar me 1.110 për homologët e tyre me bazë shtazore.

Studiuesit zbuluan se mishrat kishin më shumë gjasa të përmbanin konservues dhe antioksidantë, ndërsa produktet e mbuluara me brumë përmbanin agjentë fryrës dhe emulsifikues, të cilët gjenden në produkte të tilla si salsiçet./DPA News