Goditje për Barcelonën, De Jong ka këputur ligemantin, ja sa do të mungojë

Barcelona ka marrë një lajm të keq në prag të sezonit të ri. Klubi katalanas ka konfirmuar se Frenkie de Jong ka pësuar një këputje të ligamentit kolateral medial të gjurit të djathtë, një dëmtim që do ta mbajë jashtë fushave për disa javë.

Mesfushori holandez iu nënshtrua ekzaminimeve të detajuara mjekësore pas shqetësimeve që kishte shfaqur gjatë Kupës së Botës 2026, ku luajti me Kombëtaren e Holandës. Në ndeshjet e fundit të turneut ai ishte parë shpesh me një fashë mbrojtëse në gju, ndërsa problemet u konfirmuan pas rikthimit në Barcelonë.

De Jong ishte paraqitur në qendrën stërvitore “Joan Gamper” edhe para fillimit zyrtar të fazës përgatitore, pikërisht për t'iu nënshtruar kontrolleve mjekësore, të cilat zbuluan shkallën e dëmtimit.

Ky është një problem i madh për trajnerin Hansi Flick, i cili do ta nisë sezonin pa një nga lojtarët kyç të mesfushës. Megjithatë, drejtuesit e Barcelonës nuk kanë ndërmend të ndryshojnë planet në merkato dhe nuk pritet të transferojnë një zëvendësues.

Klubi beson se ka alternativa të mjaftueshme në repartin e mesfushës, me futbollistë si Pedri, Gavi, Fermín López, Dani Olmo dhe Marc Bernal, ndërsa edhe Eric García e Andreas Christensen mund të aktivizohen në këtë rol nëse është e nevojshme. Paralelisht, Barcelona vazhdon të punojë edhe për largimin e Marc Casadó.

Për De Jongun ky është një tjetër sezon që nis me probleme fizike. Në dy vitet e fundit, ai është përballur me dëmtime të shumta, fillimisht në kyçin e këmbës, që e lanë jashtë Euro 2024, ndërsa sezonin e kaluar mungoi për afro dy muaj për shkak të një dëmtimi muskulor në kofshë.

Barcelona shpreson që rikuperimi i 29-vjeçarit të ecë sipas planit dhe ai të rikthehet sa më shpejt në dispozicion të Hansi Flick.